Në një debat të ashpër mes koalicionit qeverisës VLEN dhe Frontit Evropian opozitar, Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive vendosi që Ligji për Përfaqësim të Drejtë të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter i vogël”, përkatësisht me shumicën e deputetëve të pranishëm dhe shumicën e deputetëve të pranishëm që u përkasin bashkësive joshumicë.
Nuk kaloi propozimi i Frontit Evropian, Aleancës për Shqiptarët, Lidhjes Shqiptare, si dhe i deputetit të LSDM-së, Fatmir Bytyqi, që ligji të votohej me shumicë absolute ose “Badenter të madh”, pra me shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve dhe shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve nga bashkësitë etnike. Për opozitën, kjo paraqet fillimin e “rrënimit të karakterit unitar të shtetit”, ndërsa pushteti u kundërpërgjigj duke thënë se nuk duhet dramatizuar dhe se nuk duhet bërë shfaqje politike, përcjell PressOnline.al.
Edhe pse opozita paralajmëroi se do ta pengojë miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, vendimi i Komitetit që ligji të votohet me “Badenter të vogël” konsiderohet një hap drejt miratimit të tij. Kjo do të thotë se pushteti nuk do të ketë nevojë të sigurojë shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve nga bashkësitë etnike (40 deputetë), por vetëm shumicën e deputetëve nga bashkësitë që do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit ditën e votimit.
Nga ana tjetër, Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe nevoja për të përcaktuar mënyrën e miratimit të tij, më në fund e aktivizuan Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, i cili u konstituua dy vjet pas konstituimit të Kuvendit. Para se të dalë në seancë plenare, projektligji do të kalojë në debat publik.
Në debat nuk u lejuan vërejtje procedurale
Përplasja mes pushtetit dhe opozitës kulmoi kur kryetari i Komitetit, Adnan Azizi nga VLEN, e hodhi në votim propozimin e shumicës që ligji të miratohet me “Badenter të vogël”. Kjo shkaktoi reagime të forta nga anëtarët opozitarë të Komitetit, të cilët kërkuan që në votim të vihej edhe propozimi i tyre që ligji të miratohej me “Badenter të madh”.
"Ka dy propozime që duhet të hidhen në votim. Duhet të votohet edhe propozimi ynë" – thërrisnin Blerim Bexheti dhe Rina Ajdari nga BDI, si dhe Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Bexheti i paralajmëroi kolegët nga VLEN që të kenë kujdes se si do të votojnë.
"Shpresoj që votimi i sotëm të mos nënkuptojë fillimin e rrënimit të karakterit unitar të shtetit. Jemi dëshmitarë të majorizimit që po ndodh. Prandaj ky ligj duhet të miratohet me “Badenter të madh” dhe në asnjë mënyrë tjetër" – tha Bexheti.
Azizi iu përgjigj se e di mirë punën e tij.
"Si gjithmonë, ju doni të bëni shfaqje, dramë dhe teatër, vetëm kërkoni destruksion. Nuk jeni këtu për të më treguar se si të udhëheq seancën. Nëse vazhdoni kështu, edhe unë di të veproj ndryshe" – iu drejtua Azizi Bexhetit.
Bexheti tentoi të marrë fjalën për një vërejtje procedurale, por Azizi nuk e lejoi, pasi paraprakisht kishte njoftuar se nuk do të pranoheshin vërejtje procedurale. Më pas ai i hodhi në votim të dy propozimet.
“Badenteri i madh” mori mbështetjen e vetëm tre anëtarëve, ndërsa për miratimin e ligjit me “Badenter të vogël” votuan 11 anëtarë të Komitetit.
Opozita vlerëson se për këtë ligj nevojitet “Badenteri i madh”, pasi bëhet fjalë për një çështje thelbësore që prek të drejtat e bashkësive etnike.
"Ju propozoni një ligj që do të ishte i mirë për vendet skandinave, për Britaninë e Madhe ose për SHBA-në, ku ekziston vetëdije për jetën në shoqëri multietnike dhe për rëndësinë e përfaqësimit të drejtë. Por po propozoni një ligj pa mekanizma mbrojtës për zbatimin e tij. Prandaj propozoj që ligji të miratohet me “Badenter të madh”, për të mos lejuar majorizimin" – tha Bytyqi.
Sali Murati: Fronti Evropian do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese
Deputeti Sali Murati deklaroi se nëse shumica e keqpërdor ose manipulon me parimin e Badenterit, Fronti Evropian do të paraqesë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese.
Rina Ajdari nga BDI tha se pas shfuqizimit të “balancuesit”, ligji i propozuar nga qeveria nuk sjell reformë, por regres me pasoja afatgjata.
"Nuk ka mekanizëm që do t’i detyrojë institucionet ta zbatojnë ligjin. Çfarë garancie reale u jepet shqiptarëve dhe bashkësive të tjera për përfaqësim të drejtë dhe adekuat? Asnjë! Nëse ligji nuk miratohet me “Badenter të madh”, do të kthehemi në vitet ’90, kur ishim të majorizuar" – tha Ajdari.
Për Ilire Dautin nga Lidhja Shqiptare është e qartë se ligji duhet të votohet me “Badenter të madh”, ndërsa rekomandoi që deputetët ta mbështesin projektligjin e tyre për përfaqësim të drejtë.
"Ligji i propozuar nga Qeveria duket si një reklamë politike. Ai nuk garanton përfaqësimin e bashkësive, nuk përmban kuota etnike, nuk ka mekanizma ndëshkues, por vetëm një trup koordinues që raporton te Qeveria. Ky ligj nuk garanton asgj" – tha Dauti.
Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët vlerësoi se gabimisht është kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias, se ligji nuk parasheh masa kundërvajtëse dhe se i ngjan më shumë një rregulloreje sesa një ligji. Sipas tij, ky projektligj “na kthen në periudhën para vitit 2001”.
Bekim Qoku nga VLEN iu kundërpërgjigj opozitës duke thënë se kritikat vijnë nga xhelozia.
"Opozita na ka zili për diçka që nuk arriti ta realizojë për 22 vjet sa ishte në pushtet, përkatësisht zbatimin e një të drejte kushtetuese. Ne e bëmë këtë për dy vjet. Xhelozia nuk duhet të jetë pengesë për miratimin e ligjit" – tha Qoku.
Sipas tij, kritikat e BDI-së për përdorimin e “Badenterit të vogël” nuk qëndrojnë, pasi edhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i cili po ashtu konsiderohet shumë i rëndësishëm, ishte miratuar nga BDI me të njëjtin mekanizëm.
Qeveria e përgatiti Ligjin për Përfaqësim të Drejtë pasi më herët Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi “balancuesin”, mekanizmin që përdorej për punësimin e pjesëtarëve të bashkësive joshumicë në institucionet publike dhe që, sipas kritikave, ishte keqpërdorur. Sipas projektligjit të ri, letërnjoftimi do të shërbejë si garanci për të shmangur keqpërdorimet e përkatësisë etnike gjatë punësimeve në administratën publike.
Një element i rëndësishëm i ligjit është se gjatë punësimit të administratës së re, përparësi do t’u jepet kualifikimeve dhe profesionalizmit të kandidatëve, ndërsa përkatësia etnike do të merret parasysh vetëm më pas. Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit do ta bëjë një trup i posaçëm koordinues i formuar nga Qeveria. (PressOnline.al)





