Katy Perry do të vijë në Prishtinë? Kur dhe pse?

featured
Press Online
04 Qershor 2026, 16:39

Sunny Hill Festival ka konfirmuar një nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore për edicionin e këtij viti. Këngëtarja amerikane Katy Perry do të ngjitet në skenën e festivalit në Prishtinë, duke shënuar vizitën dhe performancën e saj të parë në Kosovë.

Lajmi u bë publik në një mënyrë mjaft të veçantë përmes rrjeteve sociale të festivalit, ku u publikua një video-bisedë mes Dua Lipës dhe Katy Perry-t.

Gjatë bisedës, Dua iu drejtua artistes amerikane me fjalën “motër”, ndërsa Katy tregoi se turneu i saj veror do ta sjellë edhe në Kosovë.

Do të jem në një vend që quhet Prishtinë dhe do të performoj në një festival që quhet Sunny Hill Festival. Jam shumë e emocionuar që do të vij në Kosovë. Është hera ime e parë dhe ju falënderoj për ftesën. Jam shumë e emocionuar të takoj fansat e mi

-tha Katy Perry.

Njoftimi ka ngjallur menjëherë entuziazëm te fansat, pasi bëhet fjalë për një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop në nivel global.

Katy Perry ka dominuar skenën muzikore ndër vite me hite si “Dark Horse”, “Firework”, “Roar” dhe “I Kissed a Girl”, duke shitur miliona albume dhe duke grumbulluar miliarda dëgjime në platformat muzikore.

Pjesëmarrja e saj konsiderohet një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni të Sunny Hill Festival, i cili vazhdon të sjellë në Kosovë emra të njohur të industrisë ndërkombëtare të muzikës.

Përveç suksesit në muzikë, Katy Perry ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes edhe për pjesëmarrjen e saj në një fluturim suborbital të organizuar nga Jeff Bezos, ku përjetoi një eksperiencë të shkurtër në hapësirë.

Me këtë konfirmim, Sunny Hill Festival shton një tjetër emër të madh në listën e artistëve që do të performojnë para mijëra fansave në Prishtinë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter