24 vjet BDI: Festë në Park, larg shqiptarëve dhe larg llogaridhënies

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 12:00

Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shënon 24-vjetorin e themelimit të saj. Përmes një njoftimi zyrtar, partia ka ftuar anëtarët dhe simpatizantët që të marrin pjesë në festën e organizuar në Parkun e Qytetit në Shkup, te “Guaca”, për të kujtuar, sipas tyre, rrugëtimin dhe sukseset e një partie që për më shumë se dy dekada ka qenë faktori kryesor politik shqiptar në pushtet.

Por, përtej atmosferës festive, muzikës dhe sloganit “Krejt kanë ardhë, hajde edhe ti”, mbeten disa pyetje që meritojnë përgjigje.

E para lidhet me vetë vendin e organizimit. Një parti që për 24 vite është paraqitur si përfaqësuese e interesave të shqiptarëve, që është mbështetur vazhdimisht në simbolikën kombëtare dhe në legjitimitetin e dalë nga konflikti i vitit 2001, do të pritej që jubileun e saj ta shënonte në një hapësirë ku shqiptarët e ndjejnë veten të përfaqësuar. Në Çair, në Tetovë, në Gostivar apo të paktën në Sheshin Skënderbeu në Shkup, shkruan PressOnline.al.

Në vend të kësaj, BDI ka zgjedhur Parkun e Qytetit, një hapësirë larg vendbanimeve shqiptare dhe larg simbolikës që vetë partia e ka përdorur për vite të tëra në fushatat e saj politike. Kjo zgjedhje nuk është thjesht logjistike. Ajo dërgon një mesazh politik dhe ngre dilemën nëse partia po largohet gradualisht nga identiteti mbi të cilin ndërtoi mbështetjen e saj ndër vite.

Po aq domethënës është edhe koncepti i festës. Partia që për dekada është prezantuar si trashëgimtare e idealeve të luftës dhe e sakrificës kombëtare, sot po e shënon përvjetorin me koncert, muzikë argëtuese dhe atmosferë festivali. Dikur flitej për ideale, për barazi dhe përfaqësim. Sot flitet për spektakël.

Megjithatë, çështja kryesore nuk është muzika dhe as vendi ku mbahet festa. Çështja kryesore është bilanci i 24 viteve.

BDI ka qenë pjesë e pothuajse çdo qeverie që nga themelimi i saj. Ka pasur ministra, zëvendëskryeministra, drejtues institucionesh dhe ndikim të pakrahasueshëm në vendimmarrjen shtetërore. Për këtë arsye, partia nuk mund të kërkojë që qytetarët të kujtojnë vetëm sukseset, pa folur për dështimet.

Pas 24 vitesh, shumë zona shqiptare vazhdojnë të përballen me mungesë investimesh serioze, me papunësi dhe me emigrim masiv. Mijëra të rinj kanë braktisur vendin në kërkim të një jete më të mirë. Premtimet për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe perspektivë evropiane shpesh kanë mbetur pjesë e fushatave zgjedhore, ndërsa realiteti në terren ka qenë krejt tjetër.

Në të njëjtën kohë, perceptimi publik për korrupsionin, nepotizmin dhe kapjen partiake të institucioneve është bërë një nga temat më të përfolura gjatë periudhës së gjatë të qeverisjes së BDI-së. Pikërisht këto janë temat për të cilat qytetarët presin përgjigje, e jo vetëm ftesa për festë.

Prandaj, në këtë 24-vjetor, pyetja nuk është sa njerëz do të mblidhen në Parkun e Qytetit. Pyetja është pse një parti që pretendon se përfaqëson shqiptarët po zgjedh ta festojë ditëlindjen e saj larg lagjeve shqiptare, larg simboleve shqiptare dhe larg debatit për përgjegjësinë politike.

Sepse një parti mund të organizojë një koncert për një natë. Por nuk mund të shmangë përgjithmonë llogaridhënien për 24 vite pushtet. Dhe pikërisht aty qëndron sfida më e madhe e BDI-së sot: jo të mbushë parkun me njerëz, por të bindë qytetarët se pas 24 vitesh ka ende arsye për të festuar. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter