Jennifer Lopez është rikthyer për pak çaste te rrënjët e saj në New York, duke surprizuar qytetarët me një paraqitje të papritur në metronë e qytetit.
Superylli 56-vjeçar, e lindur dhe rritur në Bronx, u fotografua të martën teksa udhëtonte me metro, e veshur thjesht me një pallto dhe një kapele të zezë bejsbolli, duke kaluar pothuajse pa u vënë re nga pasagjerët.

Megjithëse mund të dukej si një rikthim nostalgjik në ditët para famës, arsyeja e udhëtimit ishte krejt tjetër. Këngëtarja dhe aktorja ishte pjesë e emisionit viral online “SubwayTakes”, ku intervistohet nga Kareem Rahma gjatë udhëtimeve me metro në New York.
Lopez iu bashkua ekipit në linjën F të metrosë për të promovuar projektin e saj më të ri kinematografik, “Office Romance”.

Lidhja e artistes me metronë e New York-ut ka qenë gjithmonë e veçantë. Madje, albumi i saj debutues i vitit 1999, “On The 6”, mori emrin nga linja numër 6 e metrosë, me të cilën ajo udhëtonte çdo ditë nga Bronx drejt Manhattan-it përpara se të bëhej një nga emrat më të mëdhenj të industrisë së argëtimit.

Sipas raportimeve, kjo ishte hera e parë që Jennifer përdorte metronë pas afro pesë vitesh, duke sjellë kujtime nga koha kur ishte thjesht një vajzë e re me ëndrra të mëdha në New York.





