Këngëtarja e njohur Pink ka bërë një rrëfim surprizues për një nga frikërat e saj më të mëdha, duke pranuar se vuan nga frika e lartësive, pavarësisht se është e famshme për akrobacitë spektakolare ajrore gjatë koncerteve.
Gjatë një interviste në emisionin “Late Night with Seth Meyers”, artistja tregoi se pikërisht kjo frikë është arsyeja pse ajo vazhdon ta sfidojë veten në çdo performancë.
Besoj se duhet të ndihesh i frikësuar dhe ta përballosh atë gjithsesi
-u shpreh këngëtarja.
Pink kujtoi edhe një ngjarje nga e kaluara, kur bashkëshorti i saj, Carey Hart, po e dërgonte për xhirimet e videoklipit të këngës “Don’t Let Me Get Me”.
Po kalonim pranë një shkëmbi dhe ai po ngiste makinën në mënyrë të pamatur. I kërkova të ndalonte që të zbrisja dhe të ecja vetë. Nuk i duroj dot lartësitë
-tregoi ajo.
Megjithatë, artistja tha se ndjenja që përjeton gjatë fluturimeve mbi skenë është krejtësisht ndryshe.
Është jashtëzakonisht çliruese. Një herë mamaja ime më pyeti pse nuk qëndroj në tokë, ndërsa unë iu përgjigja: ‘Pse duhet ta bëj këtë? Nëse mundem, pse jo?’ Është shumë argëtuese
-tha Pink.
Rrëfimi i saj vjen pak para performancës në ceremoninë e Çmimeve Tony 2026, ku ajo ka paralajmëruar një shfaqje të veçantë.
Në një intervistë për CBS Mornings, këngëtarja zbuloi se publiku mund të presë elemente akrobatike, por në një formë ndryshe nga ajo që fansat janë mësuar të shohin.
Do të ketë momente ajrore, por jo në mënyrën tradicionale që më shihni zakonisht. Kam disa ide të mëdha dhe një mënyrë të papritur se si dua të paraqitem para publikut
-deklaroi ajo.
Prej vitesh, Pink është bërë sinonim i performancave energjike dhe akrobacive spektakolare, duke dëshmuar se frikërat mund të shndërrohen në forcë kur përballen me guxim.





