Gazetari Rami Mislimi ngre dyshime të forta mbi origjinën dhe qëllimet e “Lëvizjes Arbëria”, një subjekt i ri politik që së fundmi ka dalë në skenë si përfaqësues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, krijimi i kësaj lëvizjeje është vazhdimësi e skenarëve të vjetra të shtetit maqedonas për copëtimin e votës shqiptare dhe defaktorizimin e ndikimit politik të shqiptarëve.
“Nuk është hera e parë që krijohen parti apo lëvizje të reja shqiptare në këtë shtet, por shumë prej tyre kanë lindur si projekte të sponsorizuara nga sistemi dhe shërbimet maqedonase,” shkruan Mislimi.
Sipas gazetarit, “Lëvizja Arbëria” nuk ka dalë nga ndonjë kërkesë e sinqertë për reforma politike, por nga ambicie personale të disa individëve për përfitime të vogla në administratë. Ai përmend konkretisht emrat e Orhan Ibrahimit dhe Bekim Fazliut si iniciatorët e kësaj lëvizjeje, të cilët më parë kishin kërkuar poste të vogla në administratë përmes kontakteve të drejtpërdrejta me liderët e koalicionit VLEN.
“Orhani dhe Bekimi kanë bërë presion, herë të heshtur e herë publik, për t’u përfshirë në pushtet pa pasur votë të popullit dhe pa qenë pjesë formale e ndonjë koalicioni,” thekson Mislimi, duke shtuar se pas refuzimeve të njëpasnjëshme, ata kanë gjetur derë të hapur te kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas Mislimit, ideja për “Lëvizjen Arbëria” është prezantuar te Mickoski si një mundësi për të krijuar një lëvizje shqiptare që në dukje do të përfaqësonte interesat e shqiptarëve, por në thelb do t’i shërbente qëllimeve të pushtetit aktual për të krijuar përçarje brenda bllokut shqiptar.
Gazetari vlerëson se deri tani kjo lëvizje nuk ka ofruar asnjë platformë, vizion apo program serioz politik. “Lëvizja Arbëria është krijuar për të marrë 1-2 drejtori dhe për të siguruar punësimin e Orhanit dhe Bekimit, ndërsa Mickoski të shfaqet si ‘i miri’ me shumë ‘parti shqiptare’ në vend”, përfundon Mislimi.
Në fund, gazetari ironizon se e vetmja figurë që mund ta përshkruajë saktë këtë projekt politik është Menduh Thaçi, me ndonjë koment të tij karakteristik.