Kim Kardashian ka vendosur të hapë gardërobën e saj për fansat, duke nxjerrë në shitje afro 300 artikuj luksozë në platformën “Kardashian Kloset”.
Ylli televiziv po shet veshje të rralla nga markat më të njohura të modës, përfshirë kombinime ikonike që ka veshur në evente të mëdha dhe në serialin e saj “All’s Fair”.
Sipas raportimeve, shumë prej artikujve janë ulur ndjeshëm në çmim, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e adhuruesve të modës dhe koleksionistëve.

Mes pjesëve më të komentuara është një kostum lëkure nga Prada, të cilin Kim e kishte veshur gjatë Javës së Modës në Milano në vitin 2022.
Kostumi, i cili fillimisht ishte listuar për rreth 7,900 euro, tani shitet për afro 5,900 euro.

Ndërkohë, një fustan i rrallë nga Jean Paul Gaultier është ulur nga rreth 7,900 euro në afro 3,900 euro.
Në koleksion përfshihen gjithashtu çanta, taka dhe veshje vintage nga marka luksoze si Chanel, Dior dhe John Galliano.

Artikulli më i shtrenjtë në shitje është një set nga John Galliano, i cili arrin vlerën e rreth 52 mijë eurove.
Kim Kardashian kishte paralajmëruar prej muajsh se do të nxirrte në ankand pjesë nga gardëroba e saj milionëshe, ndërsa tashmë fansat kanë mundësinë të blejnë disa prej veshjeve më ikonike të saj.




