Këshilli Gjyqësor e injoron BE-në: Sërish emërime pa arsyetime ligjore

featured

Shkup, 5 korrik – Pavarësisht rekomandimeve të qarta nga Misioni Vlerësues i BE-së dhe paralajmërimeve të përsëritura nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut vazhdon me praktika që bien ndesh me Ligjin për Gjykatat, informon PressOnline.al.

Nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” shprehen të shqetësuar për mungesën e transparencës dhe arsyetimit në vendimmarrjet e Këshillit, sidomos në rastin e fundit të zgjedhjes së ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

“Kjo pozitë duhet t’i takojë kandidatit me vlerësimin më të lartë, por në seancën e fundit nuk u respektua ky parim. Nga diskutimet doli që ka edhe 10 gjyqtarë të tjerë me më shumë pikë, por emrat dhe rezultatet nuk u bënë publike, dhe nuk pati asnjë arsyetim për vendimin e marrë,” deklaroi Lejla Tutiç nga Koalicioni.

Sipas saj, ky veprim tregon mungesë vullneti dhe paaftësi për të zbatuar rekomandimet e BE-së, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e keqpërdorimeve në procesin e avancimit të gjyqtarëve.

Për akuzat lidhur me emërimet e fundit nga Gjykata Penale në Gjykatën e Apelit, Tutiç sqaroi se kandidatët e përzgjedhur kanë pasur nivelin më të lartë të vlerësimit sipas metodologjisë ekzistuese, por theksoi se kjo metodologji duhet urgjentisht të rishikohet.

“Rezultatet konkrete të punës duhet të jenë kriteri kryesor për avancim. Pyetja mbetet nëse mënyra se si vlerësohen gjyqtarët sot reflekton realitetin apo i hap rrugë emërimeve të padrejta,” shtoi ajo.

Ndërkohë, pas kritikave të ashpra nga faktori ndërkombëtar, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka përfshirë rekomandimet e Misionit Vlerësues në draftin e ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor. Sipas paralajmërimeve, ligji do të dorëzohet së shpejti në Kuvend dhe do të parashikojë edhe përgjegjësi individuale për anëtarët e Këshillit.(PressOnline.al)

Këshilli Gjyqësor e injoron BE-në: Sërish emërime pa arsyetime ligjore
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *