Administratë, Aliu: Ligjet e reja mundësojnë reformë

featured

Me ndryshimet e reja ligjore synohet reformimi i administratës shtetërore dhe transformimi digjital i shtetit. Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, këto ligje hapin rrugën e evropianizimit të sektorit publik në vend, kurse do të ulet numri i kuadrove partiake, të cilat kanë mbushur institucionet.

“Vlerësojmë se këto ligje do të kontribuojnë për përshpejtimin e proceseve, të përmirësimit të proceseve demokratike të vendit tonë, afrimin e administratës publike me qytetarët dhe sinkronizimin e proceseve digjitale me rrjedhat evropiane. Këto ligje janë ligji për nëpunës administrativ, ligji për të punësuarit në sektorin publik, ligji për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformim digjital të shtetit, ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për menaxhimin elektronik dhe shërbimeve elektronike dhe në fund ligji për përkryerjen profesionale dhe trajnime të nëpunësve administrativ në shtet.”, – deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.

Ndërkohë Aliu hodhi poshtë kritikat për punësime parazgjedhore. Me ligjet e reja mundësohet që ato punësime të përkohshme të kalojnë në punësime me afat të pacaktuar, për shkak se nga viti 2025 nuk do të ketë punësime përmes agjencive. Sa i përket propozimit për punësime pa nevojën e Ministrisë së Financave, Aliu tha se kjo bëhet me qëllim për të lehtësuar procedurat administrative.

“Ideja është se që nga fillimi kur ju keni zë të projektuar buxhetor për punësim dhe plan vjetor, atëherë ju si menaxher menaxhoni me faktorin njeri se në cilën periudhë çfarë profili ju duhet dhe vlerësoj se kjo do t’i lehtësojë institucionet, për shkak se deri tani vijmë në situatë kur në fund të vitit hapen shpallje publike, kurse ato shpallje apo ato vende pune janë paraparë për në fillim të vitit.”, – theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.

Gjithashtu Aliu gjatë brifingut të fundvitit, si të rëndësishme e përmendi edhe ligjin për media audio dhe audio-vizive, i cili sipas tij ofron mundësi për të krijuar sistem të barabartë mes mediave të reja, televizioneve dhe radios.

Administratë, Aliu: Ligjet e reja mundësojnë reformë
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.