Analfabetizmi, Hamiti: Migrimi shkaktar për mos shkollim

featured
Press Online
15 Prill 2023, 22:13

Maqedonia e Veriut numëron rreth 19 mijë analfabetë në të gjithë vendin që nuk dinë as shkrim dhe as këndim. Sipas ESHS-së, janë regjistruar 18.897 ose 1.2% analfabetë. Në mesin e analfabetëve janë 5.517 burra dhe 13.380 janë gra. Ekspertët thonë se arsyet e analfabetizmit zakonisht lidhen me faktorët ekonomik dhe social, si dhe me traditën e shkollimit.

“Këto të dhëna statistikore nuk do të thotë se duhet të merren me saktësi të plotë por megjithatë, janë një tregues i rëndësishëm për të parë ose për të vërtetuar se sa prej popullsisë nuk di të shkruaj dhe lexuar. Po thuajse në të gjithë botën shkaqet ose arsyet e analfabetizmit janë po thuajse të njëjta. Këtu zakonisht lidhen me faktorët ekonomik, me faktorët social, demografik me nivelin kulturor si dhe me traditën e shkollimit”, u shpreh profesori universitar Asllan Hamiti.

Profesori universitar Hamiti thotë se analfabetizmi më i theksuar është tek komuniteti i demargjinalizuar.

“Në përgjithësi thuajse analfabetizmi është përhapur në të gjitha mjediset. Më i theksuar mendoj se është në ato vende ose te ai komunitet i demargjinalizuar në përgjithësi ose te ato vende ku zhvillimi ekonomik është më i ulët. Në përgjithësi ato njerëz të cilët materialisht nuk janë mirë. Nuk kanë kohë të mendojnë për shkollimin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, por ata duhet të merren me punët e mbijetesës së tyre”, theksoi Hamiti.

Migrimi sipas hamitit mund të jenë një ndër faktorët apo shkaktarët e mos shkollimit të të rinjve tanë, përkatësisht edhe të përhapjes së analfabetizmit.

“Ndoshta me çështjen e analfabetizmit lidhet edhe ajo se një pjesë e madhe ose shoqëria jonë nuk respekton përkatësisht vlera e njeriut të shkolluar, të njeriut të ditur nuk është aq sa duhet të jetë. Përkatësisht njerëzit në përgjithësi po vlerësohen jo sipas diturive të tyre që kanë, jo sipas aftësive të tyre që kanë, por më shumë po vlerësohen sipas statusit ekonomik, përkatësisht sipas gjendjes së tyre ekonomike”, u shpreh Hamiti.

Gjithsej 23.192 banorë të Maqedonisë së Veriut mbi 15 vjeç, nuk kanë arsim të kryer dhe kjo kap shifrën 1.5% të popullatës së përgjithshme. (REL)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter