Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar si pozitiv zhvillimin e fundit në Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku pas disa tentativave është zgjedhur kryesuesi i ri i këtij institucioni.
Kabashi tha se zgjedhja e kryesuesit ishte e domosdoshme, pasi KGJK-në e presin procese të rëndësishme që lidhen me funksionimin dhe reformimin e sistemit gjyqësor.
“Pas një dështimi, ku në mungesë të kuorumit e pastaj një vote të pavlefshme, sot është zgjedhur më në fund kryesuesi i ri. Është pozitive zgjedhja e kryesuesit në këtë pozitë, pasi që janë një sërë procesesh të rëndësishme të cilat e presin këtë kryesues dhe anëtarët e KGJK-së”, deklaroi ai.
Sipas Kabashit, prioritet mbetet ngritja e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe vazhdimi i reformave të nisura viteve të fundit.
Ai theksoi se KGJK-ja duhet të ruajë pavarësinë institucionale dhe të qëndrojë larg çdo ndikimi politik.
“Gjyqësori është një hallkë e ndarë nga pushtetet e tjera dhe duhet të funksionojë pa ndikime të jashtme politike”, u shpreh Kabashi.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur Rrustem Thaqin si kryesues të ri të këtij institucioni, me gjashtë vota për në procesin e votimit ku morën pjesë 11 anëtarë.
Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme, do ta ushtrojë mandatin trevjeçar duke filluar nga dita e sotme. Kundërkandidati i tij, Besnik Bislimaj, gjyqtar nga Gjykata e Apelit, mori pesë vota.
Sikurse edhe në konkursin e kaluar, në garë për postin e kryesuesit ishin të njëjtët kandidatë – Rrustem Thaqi dhe Besnik Bislimaj. Para procesit të votimit, kandidatët nuk mbajtën fjalime, pasi vizionet dhe programet e tyre i kishin prezantuar gjatë procesit paraprak zgjedhor.
Procesi për zgjedhjen e kryesuesit të ri kishte nisur më 12 mars, kur KGJK-ja shpalli konkursin që qëndroi i hapur deri më 26 mars 2026. Megjithatë, tentativa e parë për zgjedhjen e kryesuesit kishte dështuar më 30 prill, pasi të dy kandidatët kishin marrë nga pesë vota secili, çka detyroi rishpalljen e konkursit.
Rrustem Thaqi, në krye të KGJK-së
Para Thaqit, postin e kryesuesit të KGJK-së e mbante Albert Zogaj, gjyqtar nga Gjykata Supreme.
https://www.youtube.com/watch?v=2q7hiYa17hk



