Ryshfeti në gjyqësor: rast i ri, mosbesim i ri

featured
Press Online
15 Maj 2026, 16:22

Sipas rasteve që janë zbuluar dhe proceduar deri më tani, shumat që janë kërkuar për të ushtruar ndikim mbi gjyqtarë lëvizin nga disa mijëra deri në qindra mijëra euro, varësisht nga “pesha” e rastit, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.

Një kryetar gjykate dhe një administrator gjyqësor dyshohen se kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet prej 8.000 eurosh për të ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gostivar, por edhe te gjyqtarë në Gjykatën e Apelit në Gostivar, lidhur me një kontest civil ku palë ishte personi nga i cili i kishin kërkuar dhe marrë paratë.

Prokurori kompetent publik nga PTHP për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dje ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave si bashkëkryerës të veprës penale “Pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.

“Personat e dyshuar, në periudhën nga janari 2023 deri në vitin 2025, së bashku dhe me dashje, duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare – ndikimin real dhe të supozuar si Kryetar Gjykate dhe Administrator Gjyqësor – kanë kërkuar dhe pranuar shpërblim në para në vlerë prej 8.000 eurosh, ndërsa i dyshuari i dytë edhe shumën prej 800 eurosh, me qëllim që të intervenojnë te një gjyqtar i Gjykatës Themelore Gostivar dhe te një këshill gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit Gostivar për kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk do të duhej të kryhej”, njoftoi PTHP NKOK.

Përpjekja e parë dështoi

Në fillim të vitit 2023, të dyshuarit i kishin premtuar ndihmë një personi që ishte palë në një procedurë civile. Për një kompensim prej 5.000 eurosh duhej të intervenonin te një gjyqtar në Gjykatën Themelore Gostivar për të marrë vendim për përsëritjen e procedurës për të cilën më parë ishte dhënë vendim refuzues. Pasi nuk kishin arritur sukses, të dyshuarit kërkuan edhe 3.000 euro shtesë për të ndikuar te gjyqtarët e shkallës së dytë që të anulonin vendimin me të cilin nuk ishte lejuar përsëritja e procedurës.

Më vonë, shumën prej 800 eurosh si shpërblim e kishte marrë i dyshuari i dytë me qëllim që të “kryente punë” lidhur me një dokument të dorëzuar nga përmbaruesi.

Prokurori i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake masa kujdesi për të dyshuarit: ndalim për largim nga vendbanimi, detyrim për paraqitje periodike te organet kompetente, konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit dhe ndalim për ushtrimin e aktiviteteve të caktuara që lidhen me veprën penale.

“Çmimoret” ndryshojnë

Sipas rasteve të zbuluara dhe të publikuara deri më tani, shumat që kërkoheshin për të ushtruar ndikim mbi gjyqtarë varionin nga disa mijëra deri në qindra mijëra euro, varësisht nga “pesha” e rastit për të cilin intervenohej.

Për veprën penale “Pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, në vitin 2024 tashmë “ranë” anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ixhet Memeti dhe gjyqtari suprem Nake Georgiev.

Gjyqtari suprem u arrestua në parking menjëherë pasi kishte marrë ryshfet prej 10.000 eurosh (më parë kishte marrë edhe 5.000 euro) për të intervenuar në një lëndë gjyqësore me qëllim që t’ia lehtësonte procesin një të akuzuari në rast për kontrabandë me marihuanë.

Të dy arritën marrëveshje me Prokurorinë. Memeti mori dënim me kusht, ndërsa Georgiev u dënua me tre vjet burg.

Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm i zbuluar, ndërsa madhësia e “qarkullimit” në pjesën gri dhe të pazbuluar të rasteve mbetet vetëm objekt spekulimesh.

Muri i parave – muri i turpit

Së shpejti pritet të fillojë procesi gjyqësor kundër gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, deri te i cili hetimi arriti pasi ish-avokati i shtetit dhe avokati aktual, Fehmi Stafa, u arrestua për shkak se kishte kërkuar 100.000 euro, e më pas kishte pranuar drejtpërdrejt 20.000 euro për të ndikuar te gjyqtari i apelit me qëllim që të hiqej masa e paraburgimit për një person që në atë kohë ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes.

Muajin e kaluar Stafa i pranoi akuzat dhe arriti marrëveshje me Prokurorinë për lartësinë e sanksionit penal, ndërsa PTHP NKOK ngriti aktakuzë kundër gjyqtarit Ristov.

Edhe pse Stafa u kap në flagrancë me një pjesë të ryshfetit dhe paratë nuk arritën deri te gjyqtari, prokurori ndërmori edhe disa veprime të tjera hetimore dhe kontrolle, gjatë të cilave në janar të këtij viti në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit në Negotinë u gjetën 350.000 euro të fshehura në mur, për origjinën e të cilave ai nuk kishte dëshmi dhe nuk i kishte deklaruar.

Kjo shkaktoi dyshime të bazuara se ai, si gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, kishte dhënë të dhëna të rreme për pasurinë e tij dhe të familjes së tij, duke mos deklaruar pasuri që në masë të madhe tejkalonte të ardhurat e tij ligjore.

Siç njoftoi PTHP NKOK, prokurori kishte siguruar prova të forta lidhur me pronësinë e mjeteve financiare, duke konfirmuar elementet e veprës penale “Përfitim dhe fshehje e kundërligjshme e pasurisë”. Në lidhje me mënyrën e fshehjes së parave të gjetura, u siguruan edhe prova që tregojnë për veprën penale “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”.

Nuk mjafton vetëm dyshimi

Këto raste, përfshirë edhe rastin e fundit në Gostivar, vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në gjyqësor.

Sidomos pasi rasti në Gostivar u publikua dje, pikërisht në kulmin e debatit të ashpër për ndërprerjen e hetimit për rastin “Mazut”, gjë që shtoi dyshimet dhe kritikat për ndikim të mundshëm të kundërligjshëm.

Rastin “Mazut” e hapi KSHPK, ndërsa MPB vitin e kaluar ngriti kallëzim penal për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “pastrim parash” kundër 13 personave fizikë dhe një personi juridik.

“Prokuroria nuk është e lidhur me kualifikimet e dhëna në kallëzimin penal, pavarësisht nëse ai vjen nga MPB, KSHPK apo ndonjë institucion tjetër”, deklaroi prokurorja e lëndës “Mazut”, Katerina Kollareviq për “360 shkallë”.

Ajo theksoi se nuk mjafton të ekzistojë dyshim, perceptim publik apo vlerësim politik, por duhet të ekzistojnë fakte konkrete dhe të provueshme që do të konfirmojnë të gjitha elementet ligjore të veprës penale.

Ka apo nuk ka dëm?

Pasi PTHP NKOK nuk gjeti asnjë provë që do t’i mbështeste dyshimet, nga AD ESM paralajmëruan ankesë menjëherë pas pranimit zyrtar të vendimit, duke theksuar se do të përdorin të gjitha mekanizmat juridikë për mbrojtjen e interesave të kompanisë.

Kollareviq, nga ana tjetër, tha se pikërisht përfaqësuesit e AD ESM – si subjekt që sipas kallëzimit duhej të ishte dëmtuar – kishin deklaruar qartë se nuk kishte asnjë dëm.

“Përfaqësuesit e AD ESM të autorizuar nga drejtori aktual i kompanisë dhe përfaqësuesit e TEC ‘Negotino’ deklaruan në procesverbal në Prokurori se procedurat ishin zhvilluar sipas rregullave, se nuk kishte probleme në dinamikën e furnizimit dhe se kontratat ishin respektuar plotësisht. Për më tepër, në të njëjtën procedurë të dyshuar nuk ishin vetëm Ratko Kapushevski, Erxhan Sulovski dhe Asmir Jahoski, por edhe të punësuar në EMV, të cilët gjatë hetimit dorëzuan prova të lëshuara nga Sektori i Prodhimit të SHA EMV, sipas të cilave e gjithë procedura e zhvilluar pas thirrjeve publike kishte qenë në rregull. Pikërisht mbi bazën e këtyre provave Prokuroria nxori këtë përfundim”, deklaroi Kollareviq.

Pas kësaj deklarate, pritet që “reflektorët” të drejtohen kah personat që deklaruan se kompania nuk kishte pësuar asnjë dëm. Sidomos pasi Kollareviq pretendon se “që nga fillimi i procedurës hetimore, policia gjyqësore në disa raste kishte kërkuar dokumentacion dhe prova nga SHA EMVpër vërtetimin e përgjegjësisë penale, por të tilla nga EMV nuk ishin dorëzuar kurrë”.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter