Gjatë vitit 2025, gjithsej 55.407 konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut u është ndërprerë energjia elektrike për shkak të faturave të papaguara, thuhet në Raportin Vjetor të Komisionit Rregullator për Energjetikë, përcjell PressOnline.al.
Sipas raportit, kjo shifër përbën rreth gjashtë për qind të numrit mesatar të kyçjeve elektrike në vend, i cili arrin në 928.787. Megjithatë, situata konsiderohet më e mirë krahasuar me vitin 2024, kur numri i konsumatorëve të shkyçur kishte arritur në 98.272.
Qytetarët kanë paraqitur edhe ankesa lidhur me faturat e energjisë elektrike. Në Komisionin Rregullator kanë arritur 747 ankesa, pas të cilave furnizuesi universal “EVN Home” ka ndërmarrë masa shtesë për përmirësimin e transparencës dhe komunikimit me konsumatorët.
Ndër masat e ndërmarra janë përfshirë informacionet në faturë nëse llogaritja është bërë sipas gjendjes reale të orëmatësit apo sipas vlerësimit, shërbimi digjital “Korrigjimi i faturës”, si dhe fushata informuese për konsumatorët.
“EVN Home”, si furnizues universal dhe furnizues i fundit me energji elektrike, edhe gjatë vitit 2025 ka vazhduar të furnizojë amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël që nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë ose kanë mbetur pa furnizues për arsye të ndryshme.
Në raport thuhet se energjia elektrike për nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël sigurohet nga kompania shtetërore ESM, ndërsa gjatë dy viteve të fundit “EVN Home” ka blerë energji edhe në bursën e energjisë elektrike. Vetëm gjatë vitit 2025, kompania ka blerë rreth gjashtë herë më shumë energji krahasuar me vitin paraprak.
Nga sasia totale e energjisë së shitur nga “EVN Home” gjatë vitit 2025, 91,53 për qind kanë qenë për amvisëritë, ndërsa 8,47 për qind për konsumatorët e vegjël.



