Prindërit e nxënësve që ushtrojnë dhunë në shkollë do të përballen me gjobë prej 250 eurosh, sipas ndryshimeve të reja që po përgatiten në Ligjin e Arsimit Fillor, njoftoi Ministrja Vesna Janevska.
“Sekretarja shtetërore është në kontakt të vazhdueshëm me deputetët dhe mendoj se në këtë moment ata janë në Kuvend, për të finalizuar ato propozime dhe ai vendim është marrë tashmë, ato ndryshime do të bëhen dhe gjoba prej 250 eurosh mbetet për çdo akt të dhunshëm të kryer ndaj fëmijës, në mënyrë që prindi të ndëshkohet, por ajo që është shumë e rëndësishme, e përsëris, kur prindi refuzon të bashkëpunojë me shkollën dhe institucionet e tjera”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Nga ana tjetër, opozitarja LSDM kërkon përgjegjësi nga ministrja Janevska, pas rasteve të shumta të dhunës në shkolla dhe konvikte. Sipas Jovançe Manaskovit, institucionet kanë dështuar të mbrojnë nxënësit, ndërsa mungojnë strategjitë parandaluese dhe mbështetja psikologjike. Ai kërkon edhe shkarkimin e drejtorëve që nuk kanë reaguar ndaj incidenteve dhe propozon masa urgjente për rritjen e sigurisë në shkolla.
“Futja urgjente e një protokolli të unifikuar sigurie në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Procedura të qarta për t’u marrë me ngacmimin, dhunën fizike, kërcënimet dhe sjelljen e armëve. Punësimi urgjent i psikologëve dhe pedagogëve në vendet ku ka pasur mungesë stafi profesional për vite me radhë. Shteti nuk mund të flasë për sigurinë, ndërsa shkollat mbeten pa shërbime profesionale”, deklaroi Jovançe Manaskov, kryetar i Komisionit për arsim dhe shkencë në LSDM.
Një hulumtim i realizuarnga sektori i OJQ-ve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka treguar se dhunën tek të rinjtë e nxisin koha e tepërt e kaluar në internet, mungesa e aktiviteteve në jetën reale dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve agresive. Projekti thekson nevojën që ekspertët të punojnë jo vetëm me viktimat, por edhe me autorët e dhunës. Dragi Zmijanac nga MEGJASHI theksoi se dhuna në vendin tonë nuk është vetëm fizike por edhe verbale dhe kibernetike.
“Është e vështirë të vendoset kontroll prindëror, dhe akoma më e vështirë nga prindi tek fëmija, dhe akoma më e vështirë është trekëndëshi në të cilin këmbëngulim: prind-shkollë-nxënës. Duhet t’i sensibilizojmë fëmijët kur ndodh dhuna, se çdo dhunë krijon problem, veçanërisht kur bëhet fjalë për përmbajtje kompromentuese”, tha Zmijanac.
Kohëve të fundit, disa kanë ndodhur disa ngjarje të dhunës ose bullizmit ndaj fëmijëve në vendin tonë. E fundit është në shkollën fillore në Hasanbeg ku një i mitur u plagos nga bashkëmoshatari i tij me mjet të mprehtë. Para kësaj, po ashtu një nxënëse filloriste u dhunua brutalisht nga tre vajza më të mëdha në lagjen “Gjorçe Petrov”.



