Nick Lachey ka folur për herë të parë për takimin e papritur me ish-bashkëshorten e tij, Jessica Simpson, gati dy dekada pas divorcit të tyre shumë të komentuar.
I ftuar në “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, këngëtari zbuloi se ai dhe Jessica udhëtuan rastësisht në të njëjtin avion drejt Hawaii, së bashku me familjet e tyre.
Sipas Nick-ut, ata kaluan rreth gjashtë orë e gjysmë “në të njëjtën atmosferë”, por gjithçka shkoi shumë më mirë nga sa mund të imagjinohej.
Ka kaluar pothuajse 20 vite që kur nuk ishim parë dhe gjithçka ishte çuditërisht në rregull
-u shpreh ai.
Këngëtari shtoi se situata ishte shumë korrekte, pa tensione dhe se të gjithë u treguan të sjellshëm dhe respektues ndaj njëri-tjetrit.
Në avion ndodhej edhe bashkëshortja aktuale e Nick-ut, Vanessa Lachey, ndërsa Jessica po udhëtonte me nënën e saj.
Sipas raportimeve, ish-bashkëshorti i Jessica Simpson, Eric Johnson, dhe fëmijët e tyre ishin ulur në një pjesë tjetër të avionit.
Burime pranë dy ish-partnerëve kishin zbuluar më herët për mediat amerikane se mes tyre pati edhe një bisedë miqësore dhe shumë civile gjatë fluturimit.
Nick Lachey dhe Jessica Simpson ishin të martuar nga viti 2002 deri në 2006 dhe u kthyen në një nga çiftet më të famshëm të televizionit falë reality show-t “Newlyweds: Nick and Jessica”.
Edhe pse historia e tyre e dashurisë mori fund vite më parë, duket se sot ish-çifti kanë arritur të lënë pas të kaluarën me qetësi dhe respekt reciprok.



