Pas 20 vitesh në Kuvendin e Shqipërisë, drejtoresha e Komunikimit jep dorëheqjen: Faleminderit nga zemra!

featured
Press Online
02 Korrik 2025, 02:42

Një nga figurat më jetëgjata dhe të përkushtuara të administratës së Kuvendit të Shqipërisë, drejtoresha e Komunikimit, ka shpallur largimin nga detyra pas plot 20 vitesh shërbim, nga të cilat 12 vite në krye të sektorit të komunikimit.

Në një mesazh të gjatë dhe të sinqertë të publikuar në rrjetet sociale, ajo bën një bilanc profesional e njerëzor, duke shprehur falënderim të veçantë për bashkëpunëtorët, kolegët, drejtuesit politikë, gazetarët dhe të gjithë ata që, siç shkruan vetë, “kanë përballuar stresin, lodhjen dhe shpesh sakrificat përtej kufijve fizikë”.

“Kanë qenë më të mirët. Jam krenare që sot Kuvendi i Shqipërisë është një nga institucionet më transparente dhe më bashkëpunuese me median dhe qytetarët”, shprehet ajo.

E njohur për komunikimin e drejtpërdrejtë dhe humorin e hollë, në mesazhin e saj nuk mungojnë notat ironike: “Falënderim i veçantë stafit përgjegjës për firmosjen e menjëhershme të dorëheqjes. Ishte hera e parë që nuk shkelën afatet apo normat.”

Ajo përmend me mirënjohje të gjithë kryetarët e Kuvendit me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite, që nga Jozefina Topalli tee deri më sot, si dhe institucionet partnere si OSBE, NDI dhe Garda e Republikës. Një falënderim i veçantë shkon për “heronjtë e heshtur”, kameramanët dhe fotografët, si dhe stafin e transmetimit të RTSH-së.

Pa i përmendur me emra, ajo falënderon miqtë dhe kolegët më të afërt, duke theksuar lidhjet njerëzore të krijuara në vite, përtej politikës dhe punës së përditshme.

Në përmbyllje, ajo jep një mesazh faljeje dhe përqafimi: “Nëse diku kam prekur dikë me fjalë të rëndë, i kërkoj ndjesë. Përqafime miqve të mi kudo ku janë!”

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter