Kosova mori një shtytje politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën këtë javë një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të kamotshme.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, nxiti gjithashtu reagim të menjëhershëm nga Serbia, e cila rregullisht e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Stradner vlerëson se nismat në Kongres, siç është kjo rezolutë, mund të mos jenë në gjendje t’i detyrojnë aleatët e NATO-s të ndryshojnë qëndrimet e tyre, por ato formësojnë mjedisin politik duke treguar se Uashingtoni e sheh Ballkanin si një çështje të papërfunduar strategjike dhe pret më shumë unitet brenda aleancës.
“Ato gjithashtu dërgojnë sinjal të qartë në debatin e brendshëm amerikan se nuk është koha për të kufizuar apo tërhequr angazhimet ushtarake amerikane nga aleanca në Ballkan, pavarësisht zërave të herëpashershëm në këtë drejtim. Një prani e qëndrueshme ushtarake e SHBA-së në Evropë mbetet thelbësore për parandalimin dhe stabilitetin afatgjatë”, thekson ajo.
Kjo vlen për Kosovën, një vend që gëzoi lirinë falë ndërhyrjes së NATO-s më 1999 për ta zmbrapsur regjimin e atëhershëm serb, pasi zyrtarët e saj e kanë përsëritur vazhdimisht se vendi do të jetë më i sigurt duke qenë pjesë e aleancës.
Kundërshtimi i Serbisë i “parashikueshëm”
Serbia është ushtarakisht neutrale, por është pjesë e programit të NATO-s Partneriteti për Paqe dhe bashkëpunon me aleancën në këtë frymë.
Megjithatë, njëkohësisht, ajo kryen vazhdimisht stërvitje ushtarake me Kinën dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.



