Çfarë u fsheh për 7 vite? Del shënimi misterioz i Jeffrey Epstein që mund të ndryshojë çështjen?

featured
Press Online
01 Maj 2026, 15:10

Një zhvillim i ri ka rikthyer vëmendjen te rasti i shumëpërfolur i vdekjes së Jeffrey Epstein, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi momentet e fundit të tij në burg.

Sipas raportimit të The New York Times, një shënim i dyshuar vetëvrasjeje, që besohet se i përket Epstein, ka qëndruar i fshehur për afro shtatë vite në dosjet e një gjykate federale në Nju Jork.

Dokumenti thuhet se u gjet fillimisht në korrik të vitit 2019 nga ish-shoku i tij i qelisë. Ky i fundit ka deklaruar se e zbuloi shënimin pasi Epstein ishte gjetur pa ndjenja, me një copë pëlhure të lidhur rreth qafës. Ai incident nuk rezultoi fatal, por disa javë më pas Epstein u gjet i pajetë në qelinë e tij.

Sipas dëshmisë së bërë publike, në shënim shkruhej:

Është koha të themi lamtumirë.

Raportohet se dokumenti u vulos nga një gjyqtar federal si pjesë e një procesi penal ndaj ish-shokut të qelisë, çka bëri që hetuesit që merreshin me vdekjen e Epstein të mos kishin qasje në të.

“The New York Times” ka kërkuar tashmë zyrtarisht hapjen e dokumentit për publikun. Ndërkohë, edhe pse Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar miliona faqe materiale lidhur me çështjen që nga fundi i vitit 2025, ky shënim nuk është përfshirë në asnjë prej tyre.

Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë është shprehur se institucioni nuk kishte dijeni për ekzistencën e këtij materiali.

Zbulimi i mundshëm i këtij dokumenti pritet të ndezë sërish debatet rreth vdekjes së Epstein, një çështje që prej vitesh ka nxitur teori dhe dyshime në opinionin publik.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter