Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përshkruar rolin mentorues të kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza në formimin e një brezi të ri liderësh brenda partisë, duke e përshkruar atë si një shembull frymëzimi për brezin e ardhshëm politik.
Në një postim në Facebook, Krasniqi theksoi se Arian Tahiri është shembulli më i fundit i këtij vizioni dhe bashkëpunimit, duke ndarë qeverisjen e Mitrovicës me Hamzën gjatë katër viteve të fundit.
“Ndër shumë punë të mira që ka bërë për vendin, Bedri Hamza ka mentoruar dhe frymëzuar një brez të ri liderësh brenda PDK-së. Arian Tahiri është shembulli i fundit i këtij vizioni, me të cilin Bedriu ka ndarë qeverisjen në Mitrovicë gjatë katër viteve të fundit.
Prandaj, puna e mirë në Mitrovicë nuk do të ndalet. Përderisa unë dhe Bedriu edhe sot e thamë që jemi krenarë për Arianin, mitrovicasit tashmë nuk kanë asnjë dyshim: zhvillimi i qytetit do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, energji dhe vizion përpara.
Sepse pas Bedriut, vjen Ariani!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.





