Osmani e Abdixhikut me deklaratë të përbashkët: Gazi amerikan, çështje e sigurisë kombëtare

featured
Press Online
04 Qershor 2026, 17:37

Në një deklaratë të përbashkët, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. kanë theksuar rëndësinë strategjike të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e energjisë dhe sigurisë kombëtare.

Sipas tyre, qëndrimi i SHBA-së për zhvillimet energjetike në rajon përbën një sinjal të qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe të ardhmen e saj në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe ballkanike.

Në deklaratë theksohet se çështja e gazit amerikan nuk duhet parë vetëm si çështje ekonomike, por si pjesë e sigurisë kombëtare, zhvillimit industrial dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.

LDK vlerëson se Kosova, gjatë viteve të fundit, ka humbur mundësi të rëndësishme për integrim në projekte strategjike energjetike, duke vazhduar të mbetet e varur nga importi i energjisë elektrike, me shpenzime që, sipas tyre, tejkalojnë 1 miliard euro.

Deklarata e plotë e Osmanit dhe Abdixhikut.

Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.

Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare.

Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike. Në vend të diversifikimit, kemi parë stagnim. Në vend të partneritetit strategjik me SHBA-të, kemi parë humbje kohe dhe arsyetime joracionale.

Sot përballemi me një realitet shqetësues: Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.

Ky vetëpërjashtim nuk është vetëm humbje ekonomike. Është humbje strategjike. Përveç më pak investime, më pak zhvillim, e më pak vende pune, kjo nënkupton edhe më shumë cenueshmëri për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike.

Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë.

Sepse energjia nuk është vetëm ekonomi.

Energjia është siguri.

Energjia është sovranitet.

Energjia është aleancë.

Dhe Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter