Press Online
Këshilli i Bashkimit Evropian njoftoi se ka miratuar fillimin e negociatave me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për zgjerimin e zonës “Roaming si në shtëpi”.
Ky ndryshim do t’u mundësojë përdoruesve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë thirrje telefonike, të dërgojnë mesazhe tekstuale dhe të përdorin internetin mobil gjatë qëndrimit në vendet e BE-së pa tarifa shtesë. E njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e Bashkimit Evropian kur vizitojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Aktualisht, kjo zonë përfshin shtetet anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë. Në të janë përfshirë gjithashtu edhe Moldavia dhe Ukraina.
Pas vendimit të sotëm, Komisioni Evropian do të nisë negociatat për nënshkrimin e marrëveshjeve me secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Këto vende do të duhet të zbatojnë ndryshime ligjore për të harmonizuar legjislacionin e tyre me atë evropian në fushën e telekomunikacionit.
Në njoftim thuhet se, pas një vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kushteve të nevojshme, do të mund të merret vendimi për hapjen reciproke të tregjeve të roamingut ndërmjet BE-së dhe venE madhee të Ballkanit Perëndimor.
Për Moldavinë dhe Ukrainën, ky ndryshim hyri në fuqi vitin e kaluar.
Bashkimi Evropian e vendosi zonën e roamingut pa pagesë shtesë para nëntë vitesh, duke eliminuar kostot shtesë për përdoruesit evropianë që udhëtojnë në një shtet tjetër anëtar të Unionit.





