Princesha Leonor ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt rolit të ardhshëm si mbretëreshë e Spanjës, duke u nderuar me titullin “Bijë Nderi e San Javier” dhe Medaljen e Artë të qytetit.
Vajza e madhe e Felipe VI dhe Mbretëreshë Letizia u shfaq e buzëqeshur dhe plot energji gjatë ceremonisë së zhvilluar në Bashkinë e San Javier, ku ishte e veshur me uniformën e plotë ushtarake.

20-vjeçarja përshëndeti qytetarët e mbledhur për ta parë nga afër dhe tërhoqi vëmendjen me një gjest të ngrohtë, kur ndaloi për të përshëndetur një fëmijë të vogël në turmë.
Nderimi vjen në përfundim të trajnimit të saj intensiv në Forcat Ajrore spanjolle, një etapë e rëndësishme në programin trevjeçar ushtarak që ajo nisi në vitin 2023.

Vetëm një ditë para ceremonisë, Leonor përfundoi me sukses Kursin Bazë të Parashutizmit në Méndez Parada Military Parachuting School, pasi kreu një hedhje me parashutë nga aeroplani si pjesë e stërvitjes së saj.
Më herët gjatë këtij viti, trashëgimtarja e fronit realizoi edhe një tjetër arritje të rëndësishme, duke pilotuar një avion luftarak Northrop F-5 në bazën ajrore Talavera la Real Air Base, nën mbikëqyrjen e instruktorëve ushtarakë.
Si trashëgimtare e kurorës spanjolle, Leonor pritet që një ditë të mbajë postin e Komandantes së Përgjithshme të Forcave të Armatosura, ndaj po trajnohet në të gjitha degët kryesore të mbrojtjes.
Pas përfundimit të fazës ushtarake, princesha do të nisë një program katërvjeçar në Shkenca Politike në Carlos III University of Madrid, ku do të studiojë ekonomi, histori, sociologji, marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkenca humane, si pjesë e përgatitjes së saj për rolin e ardhshëm në krye të monarkisë spanjolle.
Vitin e kaluar, Leonor mori gjithashtu Kryqin e Madh të Meritës Detare nga babai i saj në Spanish Naval Military Academy, duke shtuar një tjetër kapitull në formimin e saj si mbretëresha e ardhshme e Spanjës.



