BDI 20 vite e shkatërroi sistemin. Pasojat i vuajnë të gjithë, fatkeqësisht më së shumti qytetarët. BDI, e cila dy dekada me radhë i helmonte qytetarët me korrupsion, sot paska gjetur guxim të flasë për ajrin e Shkupit. Hipokrizia nuk ka kufij. Kështu thuhet në reagimin e VLEN-it, e cila pyet BDI-në se ku ishte kur Shkupi çdo vit dilte në listat e qyteteve më të ndotura në botë me disa ministra tuaj të Ambientit Jetësor?
“Ku ishit kur qytetarët protestonin për ajër të pastër dhe kundër deponive të egra, ndërsa ju bënit matematikë se kush sa përqind do të marrë nga tenderët? Sa i përket ‘nteresave personale’ që i përmend BDI, ju, me gjithë klikën tuaj të kriminalizuar, në 20 vite pushtet për pak sa nuk u futët në Librin e Guinessit për korrupsion dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore”, thonë në VLEN, ndërsa shtojnë se deponitë krijoheshin ndërsa ju blinit qendra tregtare, biznese nafte dhe fotovoltaikë.
“Deponitë rreth Shkupit, në Tetovë, në Kërçovë e në Strugë janë trashëgimi nga koha e BDI-së. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e udhëhequr nga Izet Mexhiti, reagoi menjëherë, të koordinuar dhe së bashku me të gjitha organet dhe institucionet kompetente, përfshirë edhe shërbimet e zjarrfikësve. Situata tashmë është nën kontroll dhe qytetarët informohen me kohë”.
Djegia e deponive, vijon më tej reagimi i VLEN-it, qoftë në “Drisla”, në Shuto Orizarë apo në Trubarevë, në prag të zgjedhjeve e hap temën për përpjekjet për destabilizim, për të cilat kemi paralajmëruar edhe më parë.
“Qytetarët e dinë mirë kush është përgjegjës për këtë gjendje dhe më 19 tetor do të japin përgjigjen e merituar”.







