Shakira ka rrëfyer se futbolli dhe Kupa e Botës kanë luajtur një rol shumë më të madh në jetën e saj sesa mund ta imagjinojnë fansat, duke zbuluar se pikërisht ky kompeticion i solli dashurinë, familjen dhe disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj.
Në një intervistë për revistën People, ylli kolumbian foli për lidhjen e veçantë që ka me turneun më të madh të futbollit në botë, duke kujtuar se Kupa e Botës 2010 shënoi një kthesë të madhe në jetën e saj personale.
Ishte pikërisht gjatë asaj periudhe kur ajo njohu futbollistin spanjoll Gerard Pique, me të cilin më vonë krijoi familje dhe solli në jetë dy djemtë e tyre, Milan dhe Sasha.
Këngëtarja kujtoi me nostalgji edhe rrugëtimin e saj muzikor të lidhur me Kupat e Botës, që nisi në vitin 2006 me hitin “Hips Don’t Lie” dhe kulmoi me “Waka Waka (This Time for Africa)”, kënga zyrtare e Botërorit 2010 që u shndërrua në një fenomen global.
Sipas saj, “Waka Waka” nuk ishte thjesht një këngë suksesi, por projekti që ndryshoi rrjedhën e jetës së saj.
Madje, me humor, Shakira tha se djemtë e saj i quan shpesh “fëmijët Waka”, pasi beson se gjithçka që pasoi në jetën e saj nisi falë asaj kënge ikonike.
Artistja kujtoi gjithashtu paraqitjen e saj në Kupën e Botës 2014 në Brazil me këngën “La La La (Brazil 2014)”, një periudhë që e përjetoi në mënyrë edhe më emocionale, pasi në atë kohë ishte shtatzënë me djalin e saj më të vogël, Sasha.
Për Shakirën, çdo Kupë Bote mbetet një ngjarje e jashtëzakonshme që bashkon kultura, kombe dhe miliona njerëz në mbarë globin.
Ajo shprehet se arsyeja pse vazhdon të jetë pjesë e projekteve të lidhura me Botërorin është e thjeshtë: “Fati”.
Pas performancës së saj në ceremoninë hapëse së bashku me Burna Boy, këngëtarja pritet të rikthehet sërish në qendër të vëmendjes si pjesë e spektaklit të madh të finales së Kupës së Botës, duke vazhduar kështu historinë e saj të veçantë me turneun që, sipas saj, i ndryshoi jetën përgjithmonë.







