“Tani është shumë e qartë se kur përmenden zgjedhjet, pse kaq shumë nga opozita frikësohen”, porositi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit në ceremoninë me rastin e 36-vjetorit të themelimit të VMRO-DPMNE-së, e cila u mbajt sonte në Strumicë, informon PressOnline.al
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Mickoski pyeti nëse janë të gatshëm “ta dërgojmë mesazhin më të fortë nga Strumica drejt gjithë Maqedonisë” dhe të tregojnë se populli përsëri beson, përsëri bashkohet dhe përsëri sheh përpara.
Ai theksoi se ky tubim nuk është vetëm shënim i jubileut, por edhe konfirmim se ideja me të cilën u themelua partia para 36 vitesh, sot është më e fortë se kurrë.
“Sonte jemi mbledhur për të treguar se Maqedonia përsëri ka energji. Përsëri ka shpresë. Përsëri ka vizion. Përsëri ka një popull që beson në vetvete”, tha Mickoski.
Ai vlerësoi se nga Strumica po dërgohet një mesazh i qartë se shteti po ecën përpara dhe se zhvillimi duhet të përshpejtohet edhe më tej.
Duke u ndalur te pritshmëritë e qytetarëve, Mickoski tha se është i vetëdijshëm që ka njerëz që mendojnë se ajo që është bërë deri tani nuk është e mjaftueshme dhe se mund të bëhet më shumë, por theksoi se problemet e trashëguara kanë qenë shumë më të mëdha.
“Mund të them se po bëjmë hapa përpara. Të vegjël, ndoshta jo aq të mëdhenj, por të sigurt”, theksoi ai, duke shtuar se pavarësisht sfidave të shumta do të vazhdojë të investojë energji dhe sakrificë për të ardhmen e përbashkët të qytetarëve.
Në fjalimin e tij, Mickoski tha se 36-vjetori përfaqëson dëshmi se ideja e VMRO-DPMNE-së vazhdon të jetojë, të rritet dhe të zhvillohet pavarësisht sfidave gjatë viteve.
Ai theksoi se partia ka kaluar momente të vështira, humbje, padrejtësi dhe zhgënjime, por gjithmonë ka arritur të dalë më e fortë falë mbështetjes së popullit.
“Ata nga opozita mendojnë se janë lindur për të qenë në pushtet, ndërsa ne nga VMRO-DPMNE besojmë se jemi të destinuar të punojmë dhe të sakrifikohemi për popullin tonë, kauzën dhe atdheun”, tha Mickoski, përcjell PressOnline.al
Sipas tij, forca e partisë buron nga populli, ndërsa detyra mbetet lufta për vlerat në të cilat besojnë dhe për përparimin e shtetit.
“Për sa kohë që jemi të fortë, të bashkuar dhe bëjmë mirë për shtetin, atëherë Maqedonia do të ketë forcë”, përfundoi Mickoski.











