Legjenda e Robin Hood, fillimisht u përhap duke u treguar në formë historie, jo në libra, në shekullin e XII, përpara se të shndërrohej në një figurë heroike, një imazh që, sipas studiuesve, ka fshehur anën e tij më të errët, shkruan BBC.
Kur regjisori amerikan, Michael Sarnoski nisi xhirimet e filmit të tij të ri, ai i tregoi ekipit një version që e ka dashur gjithmonë, filmin e animuar të “Disney” të vitit 1973 “Robin Hood”, ku heroi paraqitet si një dhelpër me kapelë jeshile, që vjedh të pasurit për t’ua dhënë të varfërve.
Por, ky version i dashur nuk ka shumë të përbashkëta me filmin “The Death of Robin Hood”, një dramë më e errët dhe reflektuese.
Në këtë interpretim, aktor australian, Hugh Jackman luan një Robin të moshuar, të lodhur nga betejat dhe në fund të jetës së tij, i përballur me mitin që e ka ndjekur gjithë kohën.
Kur takon një grua që flet për Robin Hood, si një figurë e drejtësisë dhe heroizmit – ai e mohon këtë karakteristikë – dhe flet për veten në vetën e tretë: “Ai nuk ishte hero. Ai grabiste dhe vriste për kënaqësi, asgjë më shumë”.
Sipas këtij këndvështrimi dhe interpretimesh të tjera moderne, ky Robin Hood i dhunshëm, është më afër legjendave origjinale mesjetare sesa figurave të “ëmbëlsuara” që njohim sot.
Kush ishte Robin Hood?
Edhe pse ka shumë teori për një person real me këtë emër, historianët besojnë se Robin Hood nuk ka qenë një individ i vetëm historik.
Ai lindi si një figurë, në një shoqëri shumë të pabarabartë, ku të pasurit zotëronin gjithçka dhe të varfrit jetonin në kufijtë e mbijetesës.
Historitë e para, u transmetuan gojarisht në shekullin e XII, ndërsa tekstet e para të shkruara u shfaqën dy shekuj më vonë.
Në ato versione të hershme, ai nuk ishte fisnik “Sir Robin of Locksley”, si në versionet e mëvonshme, por një “yeoman” – një shtresë shoqërore pak mbi fshatarët.
As shërbëtorja Marian nuk ekzistonte në fillim. Ajo u shfaq si e dashura e tij në shekullin e XVI. Robin nuk ishte thjesht një bamirës i të varfërve, por një rebel që luftonte klerin e korruptuar dhe fisnikërinë që abuzonte me pushtetin.
Si u ndryshua legjenda?
Një kthesë e madhe ndodhi në shekullin e XVI, kur figura e Robin Hood u “fisnikërua”. Madje mbreti Henry VIII ishte i apasionuar pas tij, dhe shpesh vishej si Robin Hood.
Gjatë kësaj periudhe, elementë të rëndësishëm të legjendës u ndryshuan. Ai u paraqit si fisnik, i lidhur me mbretin Richard dhe kundër princit John.
Kjo qasje e largoi figurën nga kritika ndaj pushtetit dhe e ktheu atë, në një mbrojtës të rendit ekzistues.
Në shekullin e XIX, librat për fëmijë e bënë edhe më të butë figurën e tij, ndërsa në shekullin e XX, kinemaja e forcoi këtë imazh me aktorë si, Errol Flynn dhe më vonë me versionin e “Disney”.
Dy versione të së njëjtës figurë
Regjisori Sarnoski tha se kontrasti mes “Disney” dhe baladave mesjetare, e ka shoqëruar atë, që fëmijë.
Në disa versione të hershme, Robin vdes në mënyrë të heshtur dhe tragjike, i vrarë nga figura fetare, që nuk janë aspak “të liga” si në versionet moderne.
Në filmin e tij, Robin plagoset rëndë në betejë dhe dërgohet në një manastir për t’u shëruar. Atje ai përballet me kujtimet e tij dhe me mitin që ka ndërtuar vetë.
Regjisori thekson se, qëllimi nuk është ta bëjë Robin, thjesht një hero apo thjesht një kriminel, por një figurë komplekse që përballet me pasojat e jetës së tij.
Një mit që ndryshon me kohën
Studiuesit thonë se çdo epokë, e ka përshtatur Robin Hood, sipas nevojave të veta.
Në mesjetë, ai ishte një rebel kundër pushtetit. Më vonë, u bë një fisnik dhe mbrojtës i rendit.
Sot, disa vepra po përpiqen ta rikthejnë atë, si një figurë më të errët dhe më reale.
Sipas tyre, kjo lidhet edhe me mënyrën se si sot krijohen “heronjtë” dhe “armikët”, sidomos në epokën e rrjeteve sociale, ku narrativat shpesh janë të polarizuara.
Megjithatë, ekspertët mendojnë se versioni i butë dhe heroik i Robin Hood, nuk do të zhduket.
Ai tashmë është bërë një simbol kulturor, një figurë përrallore, që përfaqëson diçka më të madhe se vetë legjenda. +







