VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN pritet deri në fund të kësaj jave të finalizojnë marrëveshjen e koalicionit për të garuar dhe për t’u mbështetur reciprokisht në zgjedhjet e ardhshme lokale. Këtë e bëri të ditur Zëvendëskryeministri dhe kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përcjell PressOnline.al.
I pyetur nëse rekonstruimi i paralajmëruar i Qeverisë nga kryeministri Mickoski do të përfshijë vetëm ministrat që janë pjesë e garës për kryetarë komunash apo do të ketë karakter më të gjerë, Mexhiti tha se kjo çështje do të diskutohet më vonë, pasi aktualisht gjithë energjia është përqendruar tek zgjedhjet lokale.
“Ne jemi të fokusuar në zgjedhjet lokale në të gjitha 16 komunat, u tregojmë qytetarëve çfarë kemi realizuar deri tani dhe pse kërkojmë besimin e tyre për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Rekonstruimi i Qeverisë nuk është në rend dite tani, por kur të vijë momenti do të bisedojmë me partnerët tanë”, deklaroi Mexhiti.
Nga ana tjetër, kundërkandidati i tij nga BDI, Bujar Osmani, hodhi poshtë akuzat e Mickoskit se BDI dhe LSDM kanë hartuar një plan të fshehtë për kaos gjatë zgjedhjeve. Osmani e akuzoi Kryeministrin se me deklarata të rreme po e çon vendin në drejtim të gabuar, duke e ndarë shoqërinë dhe duke e larguar nga rruga evropiane.
“Mickoski prej një viti vetëm diçka paralajmëron – herë banesa të rrezikuara në Çair, herë destabilizim. Por qytetarët më nuk e marrin seriozisht. Ai duhet të ndalojë me këtë narrativ, sepse vetëm dëmton imazhin e vendit. Neve na shqetëson fakti që askush më nuk flet për hapjen e negociatave me BE”, u shpreh Osmani.
BDI këto zgjedhje i paraqet si një lloj referendumi për shtetin, duke shprehur bindje për një fitore të madhe në bllokun shqiptar. Megjithatë, pavarësisht presionit të tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Kryeministri Mickoski disa herë ka përsëritur se nuk planifikon ta ndryshojë partnerin qeveritar nga blloku shqiptar, ndërsa sipas tij BDI do të mbetet në opozitë edhe për një kohë të gjatë. (PressOnline.al)







