VLEN ka përshëndetur vendimin për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në kufirin me Republikën e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit, modernizimit të menaxhimit kufitar dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal. Sipas VLEN-it, ky model do ta shndërrojë kufirin nga pengesë administrative në pikë lidhjeje mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të dy vendeve.
Komunikata e plotë e VLEN-it
Vendimi për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në kufirin me Republikën e Shqipërisë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit kufitar dhe afrimit praktik të qytetarëve të dy vendeve.
VLEN e vlerëson këtë zhvillim si pjesë të një qasjeje të re që e sheh kufirin jo si pengesë, por si pikë lidhjeje, ku procedurat administrative zëvendësohen me koordinim institucional dhe ritëm më të shpejtë lëvizjeje.
Ky model sjell ndryshim real në përditshmërinë e qytetarëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ngarkesave sezonale, sidomos gjatë muajve të verës kur qarkullimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm.
Përveç aspektit teknik, ky është një sinjal i qartë politik për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe familjare mes dy vendeve.
Lëvizja më e shpejtë e njerëzve nënkupton edhe më shumë shkëmbime, më shumë tregti dhe më shumë mundësi zhvillimi për bizneset lokale në të dy anët e kufirit. Në këtë kontekst, “One Stop Shop” shihet si pjesë e një qasjeje më të gjerë rajonale, e cila tashmë është duke u zbatuar edhe në kufijtë me Kosovën dhe Serbinë, duke krijuar një standard të unifikuar për lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e efikasitetit kufitar.
Një hap i tillë pritet të shërbejë si shembull për avancimin e mëtejshëm të integrimit praktik rajonal, në frymën e standardeve evropiane të qarkullimit të lirë.







