Agjenda reformuese në test, shërbimi gjyqësor dhe ai i prokurorisë të pakënaqur me zgjidhjet e propozuara ligjore

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 11:13

Çështjet që lidhen me të ardhmen e shërbimit gjyqësor dhe atij të prokurorisë publike janë sërish në fokus të opinionit. Sot në Kuvend filloi debati publik për dy propozim-ligjet kyçe që duhet ta rregullojnë funksionimin e tyre. Në vend të mbështetjes pa vërejtje, reagimet e para nga përfaqësuesit e gjykatave hapën një sërë dilemash rreth zgjidhjeve të propozuara. Ata theksojnë se një pjesë e qëndrimeve të harmonizuara paraprakisht nuk janë përfshirë në tekstin e ligjit dhe se nuk u është kushtuar vëmendje e mjaftueshme sfidave bashkëkohore, si digjitalizimi dhe roli i kuadrit informatik. Vërejtje kanë edhe për mënyrën se si janë rregulluar përllogaritjet e pagave. Ata kërkojnë që ligji ose të tërhiqet nga procedura, ose të ndërhyhet përmes amendamenteve, përcjell PressOnline.al.

“Me një rregullim të tillë të statusit të nëpunësve gjyqësorë, puna e gjykatave dhe funksionimi i tyre i papenguar do të ndërlikohet, nëse jo edhe do të pamundësohet”, tha Hristina Pallçevska, e punësuar në Gjykatën Themelore Civile Shkup.

“Duke e lexuar ligjin, bëhet e qartë se përzgjedhjen për punësim në fakt do ta bëjë shteti. Unë do të jem nëpunës shtetëror i punësuar në gjykatë, nuk do të jem nëpunës gjyqësor. Këto gjëra janë mjaft të palogjikshme”, tha Igor Simevski, i punësuar në Gjykatën Themelore Gostivar.

“Gjithnjë e më shumë punonjës të IT-së çdo ditë po i braktisin vendet e punës, fillimisht për shkak të jokonkurrueshmërisë së pagave. Ndërsa tani, përveç kësaj, do të shkaktohej problem edhe me moszgjidhjen e statusit të këtyre të punësuarve”, tha Teodora Andreevska, kryetare e organizatës sindikale dhe udhëheqëse e njësisë së informatikës në Gjykatën e Apelit në Manastir.

Nga Ministria e Drejtësisë, ndërkaq, sigurojnë se ligji paraqet një hap të rëndësishëm në reformat në gjyqësor dhe është në përputhje me agjendën reformuese. Sipas tyre, me zgjidhjet e reja sigurohet autonomi më e madhe e shërbimit gjyqësor dhe ndarje e qartë e nëpunësve gjyqësorë nga ata administrativë, ndërsa për propozimin tashmë janë marrë mendime pozitive edhe nga institucione të tjera.

“Ky propozim-ligj e konfirmon pozitën e tyre si nëpunës të veçantë shtetërorë në kuadër të pushtetit gjyqësor, që do të thotë se bëjmë një ndarje të caktuar. Bëhet një lloj veçimi nga nëpunësit administrativë, si kategori e veçantë e nëpunësve shtetërorë. Në ligjin e ri nuk parashihet ndryshim i statusit të një pjese të nëpunësve në gjykatë, siç po interpretohet aktualisht ky propozim-ligj, respektivisht se nga nëpunës gjyqësorë ekzistues do të bëhen nëpunës shtetërorë”, tha Katerina Giçev nga Ministria e Drejtësisë.

Vërejtje kanë ardhur edhe nga të punësuarit në prokuroritë publike.

“Veçanërisht shqetësues është fakti që anëtarët e grupit të punës asnjëherë nuk e morën versionin final të tekstit që u publikua në ENER, e as tekstin që tani është dorëzuar para jush në procedurë parlamentare. Nuk mund të flitet për një Prokurori Publike të fortë dhe të pavarur nëse njerëzit që e mbajnë sistemin çdo ditë ndjejnë se statusi i tyre mbetet në margjinat e reformave”, tha Maja Petrova nga sindikata e prokurorive publike pranë UPOZ-it.

“Ky ligj nuk është ligj për pagat, koeficientët apo vendet e punës të dikujt. Ky është ligj nga i cili varet nëse Prokuroria Publike në të ardhmen do të mund të funksionojë”, tha prokurorja publike Fatime Fetai.

Vërejtjet janë dëgjuar dhe një pjesë e madhe e tyre janë të pranueshme, u përgjigj zëvendësministri i Drejtësisë.

“Ligji për shërbimin gjyqësor dhe Ligji për shërbimin e prokurorisë publike harmonizohen me Ligjin për nëpunës administrativë, më saktë me dispozitat që i theksova, dhe në këtë mënyrë veçohen nëpunësit gjyqësorë dhe të prokurorisë publike si nëpunës të veçantë administrativë. Sa u përket vërejtjeve të tjera, për të cilat të paktën unë mund të them se një pjesë e tyre janë të pranueshme, kur ato të shndërrohen në amendamente, këtu janë deputetët dhe në debatin për amendamente do të shqyrtohen në mënyrë objektive”, tha Alen Dereban, zëvendësministër i Drejtësisë.

Me agjendën reformuese për harmonizimin e legjislacionit maqedonas me standardet e BE-së, kërkohet një gjyqësor më efikas, më i pavarur dhe më transparent, me kapacitete më të mira kadrovike dhe teknike. Rezultati që synohet është rritja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter