Sot bëhen tetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, dokumenti me të cilin Shkupi dhe Athina i dhanë fund kontestit gati tredhjetëvjeçar për emrin. Marrëveshja u nënshkrua më 17 qershor 2018 në fshatin Nivici, apo Psarades, në anën greke të Liqenit të Prespës. Me këtë marrëveshje, Republika e Maqedonisë u riemërtua në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Greqia pranoi gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas. Marrëveshja hapi rrugën për anëtarësimin e vendit në NATO, por nuk arriti ta zhbllokojë plotësisht procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, shkruan PressOnline.al.
Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në prani të kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe diplomatë ndërkombëtarë.
Marrëveshja erdhi pas negociatave intensive mes dy qeverive, në një periudhë kur në Maqedoni në pushtet ishte LSDM-ja, ndërsa në Greqi SYRIZA. Procesi u vlerësua ndërkombëtarisht si një nga shembujt më të rëndësishëm të zgjidhjes së kontesteve bilaterale në rajon.
Tre muaj pas nënshkrimit, më 30 shtator 2018, në vend u mbajt referendum konsultativ. Qytetarët u pyetën nëse ishin për anëtarësim në BE dhe NATO përmes pranimit të Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Edhe pse 91,47 për qind e atyre që votuan u deklaruan “për”, referendumi nuk e arriti censusin, pasi dalja ishte vetëm 36,91 për qind.
Pas ratifikimit në Kuvendin e Maqedonisë dhe në Parlamentin grek, Marrëveshja e Prespës hyri zyrtarisht në fuqi më 12 shkurt 2019. Me këtë, emri kushtetues i shtetit u bë Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia u përcaktua si maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjuha mbeti maqedonase.
Efekti më i madh politik dhe strategjik i marrëveshjes ishte anëtarësimi i vendit në NATO. Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e Aleancës, duke përmbyllur një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të vendit, shkruan PressOnline.al.
Megjithatë, pritjet se zgjidhja e kontestit me Greqinë do ta hapte shpejt rrugën drejt Bashkimit Evropian nuk u realizuan plotësisht. Edhe pas Marrëveshjes së Prespës, procesi eurointegrues u përball me pengesa të reja politike dhe bilaterale.
Kontestit për emrin i paraprinë negociata që zgjatën 27 vjet. Gjatë kësaj periudhe pati faza me intensitet më të madh diplomatik, por edhe vite të tëra ngecjeje, sidomos gjatë krizës financiare në Greqi. Zgjidhja u arrit vetëm në fund të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018, kur negociatat morën dinamikë të re politike.
Pas marrëveshjes, marrëdhëniet mes dy vendeve u përmirësuan dukshëm në nivel institucional. Në prill të vitit 2019, ish-kryeministri grek Aleksis Cipras vizitoi Shkupin, ndërsa u mbajt edhe këshilli i parë për bashkëpunim në nivel të lartë mes dy qeverive. Në tetor të vitit 2021, presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski realizoi vizitën e parë zyrtare të një presidenti të Maqedonisë së Veriut në Greqi.
Megjithatë, në vitet e fundit dinamika politike mes Shkupit dhe Athinës nuk ka pasur të njëjtin intensitet. Kryeministri aktual grek nuk ka realizuar vizitë zyrtare, pune apo joformale në Shkup, ndërsa nuk është realizuar as vizita kthyese e ish-presidentes greke Katerina Sakellaropullu, ndonëse ajo kishte marrë ftesë zyrtare.
Aktualisht, kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Kirjakos Micotakis nuk kanë zhvilluar takim bilateral, ndërsa situatë e ngjashme është edhe në nivel presidencial, pasi të dyja vendet tashmë kanë krerë të rinj shteti.
Tetë vjet pas nënshkrimit, Marrëveshja e Prespës vazhdon të mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë e re të vendit: një marrëveshje që solli anëtarësimin në NATO dhe normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë, por që ende nuk e ka përmbushur plotësisht premtimin për përshpejtim të integrimit evropian. (PressOnline.al)







