Vetëm një ofertë ka arritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme në kuadër të tenderit për targa me ngjyra për veturat zyrtare. Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHÇP) shpreh gatishmëri që automjetet t’i pajisë edhe me ngjitëse dalluese për të parandaluar keqpërdorimet gjatë zgjedhjeve lokale, informon PressOnline.al
Megjithatë, kontrolli real mbi mënyrën e përdorimit të veturave zyrtare është shumë i kufizuar. Regjistri i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është i paplotë – vetëm një e treta e ministrive dhe institucioneve shtetërore i kanë regjistruar veturat që i përdorin.
Kodi etik për funksionarët ndalon qartë përdorimin e veturave zyrtare për qëllime personale apo partiake, megjithatë në praktikë kjo shpesh shpërfillet. Përkundër paralajmërimeve të shumta për vendosjen e sistemit të ri, mbikëqyrja mbetet më shumë në letër.
Qeveria mori vendim për vendosjen e targave të veçanta që në vitin 2020, pas analizës së Komisionit Antikorrupsion, e cila zbuloi se nga 84 institucione që kishin dorëzuar të dhëna, në 49 prej tyre – gati 60% – veturat zyrtare përdoren 24 orë në ditë, përfshirë për nevoja private dhe vajtje-ardhje në punë.







