Noterët “harrojnë” të deklarojnë pasurinë, Antikorrupsioni miratoi 69 vendime për fletë anketuese të paplotësuara dhe për konflikt të interesit

featured
Press Online
12 Qershor 2026, 13:59

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në seancën e 33-të miratuan gjithsej 69 vendime, numri më i madh i të cilëve janë për këshilltarë, kryetarë të komunave, drejtorë të shkollave, kopshteve, ndërmarrje komunale, dekanë të fakulteteve, por edhe deputetë të cilët, pas denoncimeve anonime, por edhe me iniciativë të vetë KSHPK-së janë formuar lëndë për mosdorëzim të fletës anketuese mbi gjendjen e tyre pasurore, raporton Plusinfo. Për disa nga lëndët është vërtetuar se personat që kryejnë funksione publike nuk kanë dorëzuar deklarata, me ç’rast u janë dorëzuar urdhërpagesa kundërvajtëse, ndërsa pas pagesës së gjobës dhe dorëzimit të deklaratave këto lëndë mbyllen, transmeton Portalb.mk.

Sofija Spasova Medarska, anëtare e KSHPK-së, kërkoi nga KSHPK-ja që të dërgojë shkresë drejtuar Odës së Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë me të cilën i njofton se të gjithë noterët duhet të dorëzojnë deklarata mbi gjendjen e tyre pasurore. Ky përfundim u soll pas denoncimit nga një aplikant i panjohur në komunën e Kumanovës, sipas të cilit këtë detyrim ligjor nuk e kishin përmbushur 14 noterë. Por, pas kontrollit të të dhënave të 14 noterëve u konstatua se vetëm dy prej tyre e kishin përmbushur detyrimin e tyre ligjor.

Për shkresën për një zyrtar në një Park Nacional, i cili ka qenë edhe kryetar i një Shoqate, ndërsa në ambientet zyrtare ka organizuar evente në lidhje me Shoqatën dhe ka përdoruar automjet zyrtar për qëllime private, anëtarët e KSHPK-së konstatuan se për personin në fjalë procedurat tashmë ishin në zhvillim e sipër nga institucione të tjera kompetente.

Anëtarët e KSHPK-së e shqyrtuan edhe lëndën për konflikt të interesit me rektorin dhe një prorektor të një universiteti. Në denoncim thuhet se është e mundur përfshirja si partner në një projekt ndërkombëtar të një instituti në pronësi të rektorit të universitetit dhe përfshirja si partner strategjik në konferenca të Institutit për Hulumtime dhe Studime Adriatike, i cili është në pronësi të prorektorit. Bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar në të cilin kanë aplikuar si universiteti ashtu edhe një institut privat, në të cilin njëri nga pronarët është rektori i universitetit.

“Hapat e ndërmarra nga universiteti, e të cilat kanë të bëjnë me projektin e lartpërmendur, për miratimin e dokumentacionit të projektit dhe emërimin e një personi për kontakt për projektin ndërkombëtar “Dronë për optimizimin rajonal dhe inovacionin në rajonin Adriatiko-Jonian”, kjo seancë është kryesuar nga rektori. Është dhënë pëlqim për kofinancim prej 15% për projektin e lartpërmendur dhe edhe kjo seancë është kryesuar nga rektori. Është miratuar vendimi për dhënien e pëlqimit për aplikimin e projektit dhe emërimin e një personi për kontakt, ky vendim është nënshkruar nga rektori i universitetit. Është miratuar vendim për pëlqim për kofinancim, ky vendim është nënshkruar poashtu nga rektori. Me nënshkrimin e këtyre akteve, të cilat i referohen projektit “Dronë për optimizimin rajonal dhe inovacionin në rajonin Adriatiko-Jonian 2″, projekt në të cilin si një nga partnerët shfaqet Instituti Gaus, pronari i të cilit, siç duket nga gjendja aktuale e subjetit, është edhe rektori i universitetit, ky person është gjendur në një gjendje konflikti të interesit, që sipas nenit 2, paragrafi 3 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit nënkupton një gjendje në të cilën zyrtari ka një interes privat, i cili ndikon ose mund të ndikojë në kryerjen e paanshme të kompetencave të tij publike ose detyrave zyrtare. Personi në fjalë, edhe pse ka qenë në dijeni se ka pasur rrethana që tregonin për ekzistencën e një konflikti të interesit, nuk është vetëpërjashtuar dhe nuk i ka ndërprerë veprimet e tij” referoi një anëtar i KSHPK-së.

Nga KSHPK theksojnë edhe se sipas gjendjes faktike të konstatuar që buroi nga dokumentacioni i dorëzuar, personi zyrtar ka kryer kundërvajtje sipas nenit 75, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, ndërsa gjobë sipas nenit 107 paragrafi 1 paragrafi 2 i të njëjtit ligj.

“KSHPK në përputhje me kompetencat e saj, mbi kundërvajtjen e konstatuar ka përpiluar një procesverbal, ka lëshuar një urdhëresë kundërvajtjeje, ia ka dorëzuar personit, personi ka paraqitur prova në KSHPK për pagesën e gjobës së përcaktuar për kundërvajtjen e kryer. Për këtë kundërvajtje KSHPK nuk mund të ngrejë iniciativë për përcaktimin e përgjegjësisë së personit zyrtar sepse është kundërvajtje, nuk mund të ngrejë iniciativë sipas nenit 72 paragrafi 4 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit sepse personit sipas nenit 107 paragrafi 5 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit i është shqiptuar një masë për kundërvajtjen e kryer”, tha një anëtar i KSHPK-së.

Sa i përket pretendimeve për konflikt interesi me prorektorin, KSHPK nuk mund të vërtetojë shkelje të nenit 75 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit. Në përputhje me të gjitha mundësitë për veprim në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, KSHPK e ndërpreu këtë procedurë.

Në seancën e djeshme u shqyrtuan edhe rastet në të cilat qytetarët kanë shkruar për korrupsion të mundshëm në kompanitë private, si dhe në institucionet shtetërore, pa ofruar prova konkrete. Lëndët e tilla u mbyllën, sepse KSHPK nuk është kompetente për të vepruar në raste të tilla.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter