Javën e ardhshme nisin bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë

featured
Press Online
12 Qershor 2026, 14:43

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi se javën e ardhshme do të nisë bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë, duke theksuar se ekzekutivi po hyn në gjysmën e dytë të mandatit dhe duhet të jetë i përgatitur për të gjitha skenarët politikë, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përcjell PressOnline.al.

Në një deklaratë për mediat, Mickoski tha se Qeveria vazhdon të preferojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në vitin 2028, por shtoi se shumica qeverisëse është e gatshme të përballet me qytetarët në çdo moment nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme.

“Shumë shpejt do të hyjmë në gjysmën e dytë të mandatit tonë. Qytetarët do të kenë mundësinë të vendosin në zgjedhjet parlamentare. Ne besojmë se po ofrojmë një koncept të ri qeverisjeje, të bazuar në punë të madhe dhe në një qëndrim të pakompromis për mbrojtjen e interesave kombëtare”, deklaroi Mickoski.

Ai kritikoi ashpër opozitën, duke e akuzuar për qeverisje të keqe në të kaluarën dhe për dëmtim të interesave të shtetit.

Sipas kryeministrit, rikonstruimi i paralajmëruar i Qeverisë është pjesë e përgatitjeve për periudhën e ardhshme politike dhe për sfidat që e presin vendin në vitet në vijim.

Deklarata e Mickoskit erdhi si përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhur me takimin mes presidentes Gordana Siljanovska-Davkova dhe nënkryetares së Bullgarisë, Ilijana Jotova, si dhe qëndrimet rreth kërkesave të reja që vijnë nga Sofja. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter