Grupacioni i transportuesve autotaksi të Qytetit të Shkupit ka ngritur alarmin për problemet e shumta me të cilat përballet sektori i taksive, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet kompetente dhe duke paralajmëruar protesta në ditët në vijim. Sipas tyre, për nëntë vite me radhë janë grumbulluar një sërë çështjesh të pazgjidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transportit autotaksi, sigurinë e udhëtarëve dhe tarifimin korrekt të shërbimeve. Edhe pse janë dorëzuar kërkesa dhe iniciativa të shumta, institucionet deri më tani nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e problemeve, përcjell PressOnline.al.
Grupacioni njofton se më 17 shkurt të këtij viti ka dorëzuar kërkesa dhe propozime për zgjidhje te Qyteti i Shkupit, ndërsa më 19 maj edhe te Qeveria.
Ata theksojnë se qytetarët ankohen për mungesën e automjeteve taksi në Shkup, manipulime me taksimetrat, shoferë të paregjistruar dhe automjete që operojnë pa licencë. Në të njëjtën kohë, sipas tyre, Qyteti i Shkupit ka filluar të mos lëshojë ose rinovojë licenca për automjetet e prodhuara para vitit 2011, pa paralajmërim zyrtar dhe pa afat të arsyeshëm përshtatjeje për transportuesit.
“Qindra automjete rrezikojnë të mbeten jashtë funksionit. Në shumicën e vendeve evropiane kriteret lidhen me standardet ekologjike Euro 4, ndërsa në disa shtete edhe me Euro 5 ose Euro 6. Ne vetë kemi kërkuar që të largohen automjetet Euro 1, 2 dhe 3, por me një periudhë tranzitore prej një viti”, thuhet në reagimin e tyre, të cilin e përcjell PressOnline.al.
Sipas Grupacionit, pakënaqësia në mesin e taksistëve është e madhe dhe ata tashmë janë në kontakt me sindikatën për organizimin e një proteste, për datën dhe vendin e së cilës publiku do të informohet në kohë.
Në kërkesën drejtuar Qeverisë, transportuesit kërkojnë angazhimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe koordinim ndërinstitucional për zgjidhjen e problemeve. Ata propozojnë ndryshime në Ligjin për transportin rrugor, duke kërkuar që kompanitë e taksive të kenë të punësuar së paku një shofer për çdo automjet të licencuar.
Po ashtu, kërkojnë që inspektorët e komunikacionit të Qytetit të Shkupit të pajisen me kompetenca më të mëdha për të kontrolluar në terren statusin e punësimit të shoferëve, funksionimin dhe kalibrimin e taksimetrave, si dhe dokumentacionin përkatës.
Mes kërkesave të tjera janë edhe kontrolle të përforcuara nga Inspektorati i Punës, me asistencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për identifikimin e shoferëve të paregjistruar, si dhe kontrolle nga Inspektorati Shtetëror i Tregut për verifikimin e taksimetrave pas ankesave të qytetarëve se disa prej tyre shfaqin tarifa më të larta se ato të përcaktuara.
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike kërkohet të kontrollojë kompanitë e taksive që kërkojnë kthim të TVSH-së, për të verifikuar nëse numri i shoferëve të punësuar përputhet me numrin e raporteve fiskale të dorëzuara. Sipas Grupacionit, prej vitesh ekziston problem i shoferëve të paregjistruar në kompani të caktuara, gjë që krijon konkurrencë të pandershme ndaj atyre që punojnë në mënyrë të rregullt dhe paguajnë kontributet ligjore. (PressOnline.al)







