Në këtë kënd të posaçëm në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë vendosur pakot e votave me postë nga diaspora.
Gjysma prej tyre, tanimë janë verifikuar, dhe së shpejti, pritet që të futen në proces të numërimit.
“Deri në përfundimin e së enjtes, KQZ i ka vlerësuar 42 mijë pako nga votat me postë, nga ky numër, janë aprovuar 40.414 janë pranuar, ndërsa 1447, janë refuzuar. Arsyeja më e shprehur, është mungesa e dëftesës së regjistrimit”, ka thënë Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.
Por, për t’u vendosur këto në numërim, tavolinat duhet të lirohen nga votat nëpër përfaqësi diplomatike, të cilat pritet të përfundojnë shpejt.
“Është duke vazhduar numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike. Përpjekjet janë që procesi të përfundojë në ditën e sotme”, ka thënë Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.
Pastaj, edhe ato të komunës së vetme që nuk e ka përfunduar numërimin.
“Ka mbetur edhe veç komuna e Prishtinës për ta përfunduar numërimin”, ka thënë Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.
Me këtë ritëm, pritet që së shpejti të përfundojë procesi i numërimit në plotni.
“KQZ synon që rezultatet të shpallen më 26 qershor, dhe pastaj certifikimi të bëhet më 6 korrik”, ka thënë Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.
Kështu, kur është numëruar shumica dërrmuese e votave, tanimë KQZ ka evidentuar edhe numrin e ulëseve në Kuvend, për secilën parti. Ndonëse ka gjasa që votat me postë të ndryshojnë diçka, aktualisht Vetëvendosje i ka 49 ulëse, PDK 24, LDK 19 dhe AAK 8.
https://www.youtube.com/watch?v=jw5iy5YNBF0







