“Korridoret bashkojnë dhe nuk ndajnë dhe këtë e dinë mirë jo vetëm të frustruarit, por të gjithë”.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për portalin “Lokalno” – profesori universitar dhe ekspert ekonomik, Abdymenaf Bexheti, duke folur mes tjerash edhe për dilemat dhe akuzat e opozitares VMRO-DPMNE lidhur me projektin e ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10 D.
“Problemi është pse pushteti dhe jo opozita. Infrastruktura përveç ekosistemit është një parakusht bazë për zhvillim. Çdo mendim tjetër nuk ka kuptim! Është e panevojshme që unë të shpjegoj teorikisht dhe praktikisht, këtë e dinë edhe studentët e vitit të parë të studimeve ekonomike. Të mos flasim për transportin e mallrave, por vetëm për turistët (sidomos shkupjanët) të cilëve u nevojiten më shumë se tre orë për të kaluar 160 kilometra nga Shkupi në Ohër, kur kudo në perëndim realizohet për pak më shumë se një orë. Shkupjanët arrijnë në Beograd më shpejt se në Ohër! Nëse asgjë tjetër, të gjithë ata që kritikojnë duhet të kujtojnë rrugët e Greqisë para se të bëhej anëtare e BE-së dhe si janë sot”, ka deklaruar Bexheti në intervistë, përcjell PRESSonline.al
Sipas tij ndërtimi i korridoreve është projekti më kapital në vend pas pavarësisë për nga vlera dhe rëndësia e investimit.
“Këto dy gjëra nuk duhet të ngatërrohen. Është tjetër gjë të jesh i kujdesshëm dhe tjetër gjë të paragjykosh në bazë të perceptimeve dhe paragjykimeve”, konstaton Bexheti.(PRESSonline.al)