1. Lajme
  2. RAJONI
  3. Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane: Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza edhe para 1 janarit të vitit 2024

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane: Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza edhe para 1 janarit të vitit 2024

featured

Parlamenti Evropian ka miratuar përfundimisht liberalizimin e vizave për Kosovën, por a ka mundësi që zbatimi i këtij vendimi të bëhet më herët se 1 janari i vitit 2024, dhe qytetarët të lëvizin lirshëm në këtë vit? Për këtë, ka folur Mimoza Ahmetaj, ish-ministre e Integrimeve Evropiane.

Parlamenti Evropian ka miratuar të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Por, nëse ky vendim mund të zbatohet më herët se 1 janari i vitit të ardhshëm, ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se qytetarët mund të lëvizin lirshëm nëse një gjë e tillë mund të bëhet nga 1 nëntori i vitit 2023 e në vazhdim.

“Nëse vendimi hyn në fuqi më herët, pra nga 1 nëntori e tutje, jam shumë e bindur që mund të bëhet një gjë e tillë, por tani është pak e rëndësishme, pasi më në fund kemi një datë kur përfundimisht do të hyjë në fuqi”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

Gjithashtu, sipas saj, ka pasur gjasë të përfundonte ky proces më herët, por Kosova e ka humbur disa herë mundësinë e liberalizimit të vizave për disa arsye, që ajo ka përmendur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Kjo është meritë e gjithë qytetarëve të Kosovës, e institucioneve të vendit, dhe në këtë ditë është shumë pak e rëndësishme të bëhet diskutimi se merita e kujt është, dihet saktësisht se kush ka qenë dhe e kanë pasur mbi supet e veta gjithë procesin për vite të tëra, dhe po ashtu dihet se kush e ka bllokuar, pikërisht për çështje të Demarkacionit me Malin e Zi, dhe mendoj që një gjë të tillë është më tepër sesa e kemi konsumuar”, ka deklaruar ajo.

Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore.

Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo me gjithë faktin se Komisioni Evropian qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane: Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza edhe para 1 janarit të vitit 2024
|