Në Haraçinë 2331 kërkesa për legalizim, asnjë kërkesë për leje ndërtim!

featured

Në raportin e publikuar për funksionimin e Komunës së Haraçinës, Enti Shtetëror për Revizion thekson se në vitin 2021 pushteti lokal nuk ka pranuar asnjë kërkesë për leje ndërtimi, por mbi 2000 objekte janë në pritje të legalizimit.

“Sa i përket procedurës dhe mënyrës së dhënies së lejes së ndërtimit gjatë vitit 2021, në auditim thuhet se Komuna e Haraçinës nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi, andaj nuk ka marrë asnjë të ardhur në bazë të kompensimit për zhvillimin e tokës ndërtimore. Kjo gjendje nuk është në përputhje me dispozitat e nenit 59 paragrafi 13 të Ligjit për ndërtim, ku rregullohet se leja e ndërtimit lëshohet në afat prej 5 ditësh pune nga dorëzimi i vërtetimit të kompensimit të paguar për rregullimin e tokës ndërtimore”, thuhet në raport, përcjell PRESSonline.al

Kontrolli i shtetit përcaktoi se në këtë periudhë ka pasur më shumë se dy mijë kërkesa për legalizim pronash.

“Në Komunën e Haraçinës, në pajtim me ndryshimet e Ligjit, brenda afatit janë dorëzuar gjithsej 2.331 kërkesa për përcaktimin e gjendjes juridike të objekteve të ndërtuara pa leje, prej të cilave 305 janë zgjidhur pozitivisht, 92 kërkesa janë në proces duke u zgjidhur, për 212 kërkesa është konstatuar  pushim i procedurës dhe 1722 kërkesa janë refuzuar për shkak të dokumentacionit jo të plotë të dorëzuar”, shton Revizioni.

Revizorët shtetërorë kanë konstatuar se Komuna e Haraçinës nuk mban regjistër të pronës së paluajtshme, nuk nxjerr vendime për tatim në prone. (PRESSonline.al)

Në Haraçinë 2331 kërkesa për legalizim, asnjë kërkesë për leje ndërtim!
|