Nuk ka garanci më të madhe për rrugën eurointegruese të shtetit sesa ndërprerja përfundimtare e kontratës me kompaninë “Gjoka Construction”, deklaroi të martën kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar deklaratën e një nate më parë të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili la të kuptohet se është i gatshëm të rikthehet në Qeveri nëse plotësohen “garancitë për eurointegrimet”, përcjell PressOnline.al.
“Çështje të tilla nuk diskutohen përmes mediave”, u përgjigj shkurt Mickoski.
I pyetur nga gazetarët se cili ka qenë ministri më i suksesshëm dhe cili më pak i suksesshëm në kabinetin e tij, si dhe nëse ka vend për partnerë të rinj të koalicionit, Mickoski njoftoi se rikonstruimi i madh i Qeverisë tashmë ka nisur.
Ai konfirmoi se aktualisht po zhvillohen negociata intensive për rikonstruimin e Qeverisë dhe kërkoi edhe pak durim nga opinioni, duke paralajmëruar se brenda pak ditësh gjithçka do të bëhet e ditur.
Ndryshe, “Gjoka Construction”, kompani nga Shqipëria, është lidhur me kompaninë e Drin Ahmetit gjatë marrjes së qendrës tregtare Soravia. Po ashtu, ajo ishte ofertuesi i vetëm në tenderin për partneritet publiko-privat për parkingun e Qendrës Klinike, në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Taravari.
Nëse “Gjoka Construction” do ta fitonte kontratën për partneritetin publiko-privat, çmimi i parkimit do të ishte rritur pothuajse dyfish, ndërsa nga të ardhurat vjetore kompania do t’i paguante shtetit vetëm 1 për qind.
Kompania në fjalë është përmendur edhe në hetime në Shqipëri lidhur me skandale për kurdisje tenderësh. Ndërkohë, sipas raportimeve, Taravari, nën presion, u detyrua ta anulonte tenderin për parkingun e Qendrës Klinike në Shkup, pas së cilës mediat shqiptare raportuan se ai “kishte mbetur borxh” dhe kishte kërkuar zgjidhje nga politikanë në Tiranë.
Mbrëmë, në emisionin “Debat na Shenja”, i pyetur nëse është i mundur rikthimi i Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, Taravari deklaroi se është “poshtëruese të kthehesh aty prej nga je larguar”, por nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë “me një marrëveshje të re”.
Sipas tij, kushti kryesor është një garanci për ndryshimet kushtetuese dhe fillimin e negociatave me Bashkimi Evropian.
“Vetëm me një marrëveshje të re, në të cilën do të kishte të paktën garanci për fillimin e negociatave me BE-në dhe për ndryshimet kushtetuese, mund të bisedohet. Përndryshe, nuk ka për çfarë të bisedohet”, deklaroi Taravari. (PressOnline.al)







