Drejtori i Lotarisë Shtetërore, prof. dr. Aleksandar Klimovski, në paraqitjen e tij në debatin publik për Propozim-Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, theksoi në mënyrë juridike dhe të argumentuar se shteti duhet të jetë organizatori i vetëm i lojërave të fatit në internet.
Konkretisht, me Aktvendimin nr. U.156/2019, të datës 6 maj 2020, të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin nuk iniciohet procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 7 paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, konfirmohet pa mëdyshje arsyeshmëria kushtetuese e zgjidhjes së re të propozuar ligjore, me të cilën shteti ruan të drejta dhe kompetenca të veçanta në sferën e organizimit të lojërave të fatit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson qartë se përcaktimi i ligjvënësit për të ruajtur të drejtën e organizimit të disa lojërave të fatit tek shteti përbën një politikë legjitime ligjvënëse të bazuar në interesin publik. Gjykata veçanërisht thekson llojin dhe karakterin e lojërave të fatit, disponueshmërinë e tyre masive, vëllimin dhe kompleksitetin e organizimit të tyre, si dhe nevojën për kontroll, mbikëqyrje dhe mbrojtje të shtuar të interesit publik.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se një zgjidhje e tillë ligjore nuk është në kundërshtim me nenin 55 të Kushtetutës, përkatësisht nuk cenon parimet e tregut të lirë dhe sipërmarrjes, ndërsa Propozim-Ligji i ri vetëm vazhdon mbi bazën e zgjidhjes tashmë të miratuar. Përkundrazi, Gjykata thekson se bëhet fjalë për një veprimtari specifike me aspekt të theksuar social, në të cilën shteti ka të drejtë, por edhe obligim, të vendosë një regjim të veçantë organizimi, kontrolli dhe mbikëqyrjeje.
Në këtë drejtim, duhet të theksohet qartë se Lotaria Shtetërore, si dhe drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, gjatë veprimit dhe paraqitjeve publike të tyre, kanë qenë plotësisht të njohur me përmbajtjen juridike dhe rëndësinë e vendimit të lartpërmendur të Gjykatës Kushtetuese dhe se qëndrimet dhe veprimet e tyre i kanë bazuar pikërisht në këtë praktikë kushtetuese-gjyqësore. Veprimi i drejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore nuk ka qenë as arbitrar dhe as jashtë kornizës ligjore, por ka përfaqësuar një ndjekje konsekuente të zgjidhjeve ligjore në fuqi dhe të qëndrimeve juridike të konfirmuara tashmë nga instanca më e lartë kushtetuese-gjyqësore.
Aktvendimi konfirmon qartë se rregullimi i tregut të lojërave të fatit është çështje e politikës ligjvënëse të shtetit, ku ligjvënësi ka të drejtë diskrecionale të vendosë për vëllimin, mënyrën dhe kushtet në të cilat do të organizohen lloje të caktuara të lojërave të fatit. Prandaj, edhe qëndrimet e mbrojtura nga drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore nuk paraqesin interpretim personal apo politikisht të motivuar, por një kuptim juridikisht të bazuar të rolit të shtetit në këtë fushë të ndjeshme dhe specifike.
Nga aspekti kushtetues-juridik rezulton se shteti ka të drejtë legjitime të përcaktojë nëse, në çfarë kushtesh dhe në çfarë mase do të lejohet organizimi i lojërave të fatit në internet, duke pasur parasysh përgjegjësinë e tij për mbrojtjen e interesit publik, parandalimin e keqpërdorimeve dhe sigurimin e mbikëqyrjes efektive mbi këtë veprimtari. Pikërisht në këtë kontekst duhet të vlerësohet edhe veprimi i drejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore, i cili ka qenë i obliguar të respektojë kornizën ekzistuese ligjore dhe të veprojë në përputhje me mekanizmat e lejuar kushtetues të rregullimit shtetëror.
Në përputhje me praktikën e vendosur të Gjykatës Kushtetuese, zgjidhjet ligjore me të cilat shteti ruan rol vendimtar në rregullimin dhe organizimin e lojërave të fatit paraqesin mekanizëm kushtetuesisht të lejuar për realizimin e interesit publik dhe nuk mund të konsiderohen si shkelje e parimeve kushtetuese të tregut të lirë dhe barazisë së subjekteve në treg. Prandaj, çdo përpjekje që veprimi i drejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore të paraqitet si i paligjshëm, i pabazuar ose në kundërshtim me parimet kushtetuese, bie ndesh me qëndrimet juridike tashmë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Prandaj, me të drejtë mund të konkludohet se drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore ka vepruar me ndërgjegje, në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me praktikën kushtetuese-gjyqësore, duke pasur parasysh obligimin e tij për të mbrojtur interesin publik dhe për të siguruar zbatimin konsekuent të kornizës ligjore në fushën e lojërave të fatit.
Mbetet e paqartë nëse mosnjohja e praktikës ligjore dhe kushtetuese-gjyqësore nga ana e APIS dhe ASOM, të cilat veprojnë në emër dhe për llogari të organizatorëve privatë të lojërave të fatit, është gabim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm.







