Brad Pitt ka folur hapur për ndikimin që fama ka pasur në jetën e tij, duke treguar se pas më shumë se tri dekadash në qendër të vëmendjes, ka mësuar të vendosë kufij për të mbrojtur veten dhe mirëqenien e tij.
Një nga aktorët më të njohur dhe më të suksesshëm të Hollywood-it ka pranuar se jeta pas kamerave është shumë ndryshe nga ajo që publiku sheh. Sipas tij, fama, ekspozimi i vazhdueshëm dhe ritmi intensiv i punës kanë pasur një ndikim të madh në jetën personale.
Në një intervistë të fundit, Pitt zbuloi se pas përfundimit të çdo projekti kinematografik ndjen nevojën të largohet për një periudhë nga gjithçka.
Më duhet të rimbush bateritë
-ka treguar aktori, duke shpjeguar se shpesh kërkon qetësi, kohë për veten dhe momente larg syrit të publikut.
Karriera e Brad Pitt nisi në fillim të viteve ’90 dhe shumë shpejt ai u shndërrua në një nga emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit. Roli i tij në “Thelma & Louise” i hapi dyert e suksesit, ndërsa filma si “Meet Joe Black”, “Troy” dhe “Mr. & Mrs. Smith” e konsoliduan statusin e tij si një nga aktorët më karizmatikë të Hollywood-it.
Më vonë, interpretimet në “Fight Club” dhe “Once Upon a Time in Hollywood” treguan edhe anën e tij artistike, duke e kthyer në një nga figurat më të respektuara të kinemasë botërore.
Megjithatë, aktori pranon se jeta nën vëzhgimin e vazhdueshëm të mediave nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Për më shumë se 30 vite, çdo hap i tij është ndjekur nga publiku dhe mediat, gjë që shpesh ka sjellë presion dhe sfida personale.
Sot, në një fazë më të pjekur të jetës dhe karrierës, Pitt thotë se e sheh famën ndryshe. Ai nuk e konsideron më veten si aktorin e ri që përpiqej të kuptonte ndikimin e suksesit, por si një njeri që ka mësuar të bashkëjetojë me të.
Sipas tij, çelësi qëndron te balanca mes jetës profesionale dhe asaj private, si dhe te aftësia për të ndaluar herë pas here për t’u kujdesur për veten.
Rrëfimi i aktorit ka gjetur jehonë te shumë fansa, të cilët kanë vlerësuar sinqeritetin e tij dhe faktin se edhe një prej yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it përballet me të njëjtat nevoja njerëzore për qetësi, pushim dhe mirëqenie personale.







