Qytetarët e Maqedonisë së Veriut besojnë BE-në, por humbin besimin te drejtësia dhe partitë politike

Anketa e “WeBalkans”: 79,5% kanë besim te Bashkimi Evropian, ndërsa 76% nuk i besojnë sistemit vendor të drejtësisë

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 14:01

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të kenë besim të lartë te Bashkimi Evropian, por njëkohësisht shfaqin pakënaqësi dhe mosbesim të thellë ndaj institucioneve vendore, veçanërisht ndaj sistemit të drejtësisë dhe partive politike, informon PressOnline.al

Sipas anketës së fundit të “WeBalkans”, qytetarët e shohin BE-në si partnerin ndërkombëtar më të besueshëm, ku 79,5% deklarojnë besim ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa 67% mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.

Mbështetja për integrimin evropian lidhet kryesisht me pritshmëritë për një jetë më të mirë. Sipas të anketuarve, përfitimet kryesore nga anëtarësimi në BE do të ishin rritja e standardit të jetesës (46,8%) dhe një e ardhme më e mirë për të rinjtë (41%).

Qytetarët gjithashtu e njohin rolin e BE-së në mbështetjen financiare të vendit. 84% e të anketuarve konsiderojnë se ndihma financiare evropiane është e lartë ose mesatare, ndërsa 40,8% e shohin BE-në si donatorin më të madh për Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, qytetarët identifikojnë edhe pengesa serioze në rrugën drejt anëtarësimit. Ndër faktorët kryesorë përmenden mosmarrëveshjet me shtetet anëtare të BE-së (38,4%), korrupsioni (36,5%) dhe dobësitë në sundimin e ligjit (33,3%), thotë anketa, përcjell PressOnline.al

Mosbesim i madh ndaj institucioneve vendore

Në kontrast me besimin ndaj BE-së, institucionet vendore përballen me një krizë të thellë besimi.

Sistemi i drejtësisë rezulton institucioni me nivelin më të ulët të besimit, ku 76% e qytetarëve deklarojnë se nuk kanë besim në gjyqësorin vendor.

Pas drejtësisë, në listën e institucioneve me më së shumti mosbesim renditen:

Institucionet e vetme që vazhdojnë të gëzojnë besimin e shumicës së qytetarëve janë bashkësitë fetare me 60,8% dhe ushtria me 58,5%.

BE-ja mbetet synim, por procesi politik ngec

Rezultatet e anketës vijnë në një periudhë kur Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë e bllokuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian për shkak të kontestit me Bullgarinë.

Për të vazhduar procesin e integrimit, vendi duhet të realizojë ndryshimet kushtetuese, të cilat parashohin përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë. Për këtë nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime pa garanci shtesë nga partnerët evropianë, ndërsa opozita dhe pushteti kanë qëndrime të kundërta për këtë çështje.

Më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht negociatat qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez. Ky propozim u votua në Kuvend më 16 korrik 2022, pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme, e cila sot është në pushtet.

Megjithëse perceptimi pozitiv për BE-në ka shënuar një rënie të lehtë – nga 65,4% në vitin 2025 në 61,4% në vitin 2026 – mbështetja për anëtarësim mbetet e qëndrueshme.

Anketa e “WeBalkans” është realizuar gjatë periudhës shkurt–prill 2026, me një mostër përfaqësuese prej 1.000 qytetarësh mbi moshën 15 vjeç.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter