featured

Boshatisen fshatrat e RMV, 40 vendbanime pa asnjë banor

Dallimet në zhvillimin e tetë rajoneve në Maqedoni në aspektin socio-ekonomik dhe demografik nuk po ulen, përkundër aktiviteteve të Qeverisë dhe në nivel rajonal në vitet e fundit. Njëherësh nuk po ndahen as 1 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto apo diku 100-110 milionë euro në vit si obligim ligjor për zbutjen e dallimeve në zhvillimin e tyre. Me këtë vazhdon trendi i dekadës së mëparshme ku nuk respektohej ky obligim ligjor i shtetit, nën arsyetimin se ndahen edhe më shumë mjete përmes mekanizmave dhe institucioneve të tjera. Analiza e fundit e Entit Shtetëror për Revizion konstaton se në periudhën 2019-2021, në funksion të zhvillimit të barabartë rajonal, janë ndarë mjete në vlerë prej 9.3 miliardë denarë, që paraqesin 46 për qind të shumës ligjore të përcaktuar prej afër 20 miliardë denarë. Njëherësh, analiza tregon se pavarësisht veprimeve të ndërmarra vitet e mëparshme, akoma ekzistojnë dallime të rëndësishme ndërmjet dhe brenda rajoneve në të gjitha zonat e banimit.

Gjithashtu, të dhënat tregojnë se në periudhën e analizuar 2019-2201, të gjitha rajonet po regjistrojnë bilanc negativ të migrimit të popullsisë rurale, ku spikasin rajoni Lindor, i Pellagonisë dhe i Jugperëndimit. Analiza më tej ka treguar se Komuna e Shtipit, Radovishi dhe Novaci në 20 vitet e fundit renditen ndër të parat në listën e vendbanimeve të boshatisura.

Në këto komuna janë 40 vendbanime pa asnjë banor. Në Komunën e Vallandovës janë regjistruar 11 vende pa banorë, 10 në Çashkë, ndërsa nga 9 në Manastir dhe Prilep. Në 7 vendbanime nuk ka banorë të përhershëm në Negotinë dhe Mavrovë-Rostushë. Shpërngulje masovike ka pasur edhe në Dibër, Studeniçan, Strugë, Likovë, Gostivar, Manastir, Prilep, Vallandovë, Gradsko, Dojran, Shën Nikollë, Karbinxi, Qendër Zhupë, si dhe në Koçan. Në raport, më tej thuhet se shpërndarja e pabarabartë e popullsisë dhe potenciali i dobët demografik janë një nga pengesat kryesore jo vetëm për zhvillimin e barabartë rajonal, por edhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Revizioni shtetëror rekomandon edhe përditësimin i Strategjisë së Zhvillimit Rajonal të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2021-2031, si dhe e përshtatjen e masave, treguesve dhe objektivave me rezultatet nga Regjistrimi i Popullsisë i kryer në vitin 2021.

“Nga ana tjetër, Strategjia për zhvillimin rajonal 2021-2031 është miratuar me vonesë, bazuar në vlerësimin e popullsisë, e cila devijon nga rezultatet e regjistrimit, ndërsa politikat për zhvillim e barabartë rajonal nuk po japin rezultatet e pritura. Me analizat e realizuara të të dhënave, konstatuam se investimet e mëparshme nuk kanë siguruar mbajtjen e popullsisë në zonat rurale dhe integrimin e tyre me qytetet. Nevojitet përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës komunale dhe shërbimeve bazë në fshatra , me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës, dhe konkurrencës dhe aftësisë së tyre për të mbajtur popullatën më të re dhe më të arsimuar dhe për të tërhequr investime”, thekson Enti Shtetëror i Revizionit.

Sugjerimet për Ministrinë e Pushtetit Lokal janë që në Programet për zbatimin e Strategjisë për Zhvillimin Rajonal, të sigurohet një ndarje e qartë ndërmjet bartësve të aktiviteteve, në cilën periudhë kohore ato do të rrjedhin dhe me sa mjete do të marrin pjesë në realizimin e masat në fushat prioritare të përcaktuara.

Raporti më tej konstaton se krijimi i sistemit “SiReRa” si një Platformë e integruar softuerike ofron një mundësi për koordinimin, planifikimin, zbatimit, monitorimin dhe vlerësimin e politikës për nxitjen e zhvillimit të ekuilibruar rajonal, megjithatë dobësitë e identifikuara të sistemit, të tilla si të dhënat jo të plota , mos harmonizimi i matricës financiare që duhet të sigurojë lidhjen e programet apo projektet e zhvillimit me synimet strategjike prioritare dhe mos lidhja e automatizuar me sisteme të tjera të Teknologjisë Informatike, nuk ofrojnë kushte për monitorimin e vazhdueshëm të planifikimit dhe zbatimit të projekteve.

Ndryshe, për Maqedoninë është karakteristikë se 83 për qind e popullsisë jeton në 43 komuna urbane dhe e vetëm 17 për qind jetojnë në 37 komunat e mbetura rurale. Bashkitë rurale janë mjaft të përfaqësuar në të gjitha rajonet planifikuese, por pjesa më e madhe e popullsisë pra 83 për qind jetojnë në qendra më të mëdha urbane. Rajoni i Pollogut dhe ai Juglindor dallohen sipas pjesëmarrjes më të madhe të popullsisë që jeton në zonat rurale, ndërsa në rajonet e tjera rurale, vendbanimet janë më pak të populluara.(Koha)

Boshatisen fshatrat e RMV, 40 vendbanime pa asnjë banor
Giriş Yap

Press Online ayrıcalıklarından yararlanmak için hemen giriş yapın veya hesap oluşturun, üstelik tamamen ücretsiz!