Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Skenderajt, Alban Berisha ka bërë thirrje për mobilizim qytetar para Stacionit Policor në Skenderaj, në pritje të intervistimit të kryetarit të kësaj komune Sami Lushtaku i cili dyshohet se ishte përfshi në një sulm ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetvendosje në Skenderaj, Hysni Mehana.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen për të pritur Lushtakun deri në përfundim të intervistës, duke e cilësuar këtë si “gatishmëri qytetare”.
Ai kritikoi edhe angazhimin e Njësisë Speciale të Policia e Kosovës gjatë zhvillimeve të fundit në Skenderaj, duke pretenduar se prania e policëve me maska dhe armë të gjata ka krijuar tension dhe frikë tek qytetarët.
Sipas Berishës, veprimet e institucioneve të sigurisë po rikujtojnë, siç u shpreh ai, periudha kur policia përdorej për presion politik dhe jo për drejtësi.
“Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti. Dinjiteti nuk shitet dhe nuk blihet”, ka shkruar ai.
Deklarata vjen në kohën e tensioneve politike dhe reagimeve të shumta pas incidentit të ndodhur dje në Skenderaj.
Nura: Lushtaku do t’i përgjigjet Prokurorisë sapo të ketë ftesë zyrtare
Hysni Mehani i drejtohet Sami Lushtakut pasi del nga spitali: Është qyqar i madh



