Në tremujorin e parë të vitit 2025, aktiviteti në tregun e pasurive të paluajtshme ka shënuar rënie prej 11% në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2024. Sipas të dhënave nga Regjistri i çmimeve dhe qirave, janë regjistruar gjithsej 8,044 transaksione, prej të cilave 5,717 kanë qenë shitje blerje dhe 2,327 qira, shkruan PressOnline.al
Vlera totale e këtyre transaksioneve ka arritur në 251 milion euro, ku më shumë shitje janë regjistruar në muajin shkurt, ndërsa më pak në mars. Sipas kategorive të pasurive, më së shumti janë shitur banesa, por ka pasur aktivitet edhe në shitjen e shtëpive, hapësirave komerciale dhe tokave bujqësore e ndërtimore.
Në të njëjtën periudhë, vlera e qirave është rreth 874 mijë euro, me numrin më të madh të marrëveshjeve të regjistruara në shkurt.
Gjithashtu, mbi 2,500 pasuri të paluajtshme janë vendosur nën hipotekë, me vlerë totale prej rreth 385 milion euro.
Statistikat e fundit tregojnë se vitin e kaluar janë ndërtuar mbi 2,600 objekte dhe janë përfunduar më shumë se 5,400 banesa, duke dëshmuar aktivitet të qëndrueshëm në sektorin e ndërtimit pavarësisht uljes së transaksioneve tregtare.(PressOnline.al)



