Jennifer Lopez duket se ka zgjedhur qetësinë pas ndarjes nga Ben Affleck, ndërsa thashethemet për një romancë të re me aktorin Brett Goldstein po vazhdojnë të pushtojnë Hollywood-in.
Prej muajsh, fansat kanë spekuluar për një afrim mes Lopez dhe bashkë-yllit të saj në filmin “Office Romance”, pasi kimia mes tyre gjatë xhirimeve dhe daljet publike kanë ndezur rrjetin.
Nga eventet në Broadway deri te momentet e afërta në tapetin e kuq të Netflix, shumë nisën të besonin se mes tyre kishte lindur diçka më shumë se miqësi.
Situata u bë edhe më intriguese pasi Goldstein u shfaq tepër i afërt me këngëtaren gjatë promovimit të filmit, ndërsa vetë Lopez e komplimentoi publikisht, duke e cilësuar një nga bashkëpunëtorët më të mirë që ka pasur.
Megjithatë, burime pranë tyre kanë mohuar kategorikisht çdo lidhje romantike. Sipas raportimeve, marrëdhënia mes tyre është vetëm profesionale dhe miqësore, ndërsa të dy i shohin thashethemet si pjesë të atmosferës që shoqëron promovimin e filmit të ri.
Ironikisht, vetë filmi “Office Romance” ka në qendër një histori dashurie mes personazheve të interpretuara nga Lopez dhe Goldstein, gjë që ka ushqyer edhe më shumë spekulimet në rrjet.
Nga ana tjetër, Jennifer Lopez duket se po shijon një periudhë më të qetë në jetën personale. Pas divorcit nga Ben Affleck, ajo ka lënë të kuptohet se ndihet më e lirë dhe e fokusuar tek vetja, pa nxituar për një histori të re dashurie.
Megjithatë, fansat vazhdojnë të dyshojnë se mes saj dhe Brett Goldstein mund të ketë më shumë seç po thuhet publikisht.



