Drake ka bërë histori në industrinë muzikore pasi publikoi njëherësh tre albume të reja , “Iceman”, “Habibti” dhe “Maid of Honour”, duke vendosur tre rekorde të mëdha në Spotify brenda vetëm 24 orëve.
Sipas raportimeve, reperi kanadez u bë artisti më i transmetuar në një ditë të vetme në Spotify për vitin 2026, ndërsa “Iceman” u rendit si albumi më i dëgjuar brenda një dite gjatë këtij viti në platformë.
Jo vetëm kaq, por edhe kënga hapëse e albumit, “Make Them Cry”, arriti të regjistrojë numrin më të lartë të transmetimeve për një këngë në një ditë të vetme në vitin 2026.
Suksesi nuk u ndal vetëm në Spotify. Në Amazon Music, albumi “Iceman” realizoi debutimin më të madh global 24-orësh për një album hip-hop këtë vit, ndërsa tre albumet së bashku vendosën rekordin për debutimin më të madh global të vitit 2026 në platformë.
Publikimi surprizë i projekteve erdhi të enjten në mbrëmje, vetëm pak orë pasi Drake prezantoi pjesën e katërt të transmetimit të tij live “Iceman”, ku kishte paralajmëruar muzikë të re për fansat.
Reperi kishte afro dy vite që fliste për albumin e tij të nëntë “Iceman”, duke mbajtur vazhdimisht fansat në pritje për projektin e shumëpërfolur.
Ndërkohë, revista Variety e përshkroi albumin si një rikthim “argëtues dhe hakmarrës”, duke vlerësuar energjinë dhe stilin e Drake në projektin e ri.



