Një valë e re sulmesh kibernetike ka treguar se edhe përdoruesit e iPhone nuk janë më të mbrojtur nga spyware-t e sofistikuar. Grupi i hulumtuesve të Google, iVerify dhe Lookout, zbuluan muajin e fundit dy fushata të veçanta që shfrytëzojnë dobësitë e iOS për të infektuar pajisjet. Një prej këtyre veglave, e quajtur Coruna, fillimisht u krijua për një klient qeveritar të panjohur dhe më pas përfundoi në duart e një grupi kibernetik kinez.
Spyware-i u shpërnda përmes platformave të falsifikuara për kriptovaluta dhe financa, duke infektuar iPhone pa pasur nevojë për klikime apo shkarkime nga përdoruesit. Sipas raportimeve, kontraktori i mbrojtjes L3Harris e zhvilloi fillimisht këtë program për Qeverinë amerikane. Një tjetër grup hakerësh, i quajtur DarkSword, përdor metoda të ashtuquajtura “watering hole attacks”, duke infektuar automatikisht pajisjet e vizitorëve të një grupi të caktuar faqesh, përfshirë edhe faqe ukrainase të lajmeve dhe të qeverisë.
Ky spyware, i lidhur me një grup hakerësh rusë, kap të dhëna nga iMessage, WhatsApp, Telegram, vendndodhjen, kontaktet, historikun e thirrjeve, konfigurimet Wi-Fi, historikun e shfletuesit dhe cookies. “Përdorimi i këtyre veglave, më parë i kufizuar për agjenci qeveritare, tani është i mundur për kriminelët kibernetikë me burime më të kufizuara”, thotë Rocky Cole, bashkëthemelues i iVerify. “Kjo u hap mundësinë për sulme ndaj çdo përdoruesi iPhone”.
Apple ka reaguar duke njoftuar se dobësitë e shfrytëzuara nga këto spyware janë tashmë të rregulluara në versionet më të fundit të iOS. Për pajisjet më të vjetra, kompania lëshoi një përditësim emergjent javën e kaluar. Gjithashtu, Safari ka bllokuar domenet e dyshimta që përdorën hakerët. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk ka një mbrojtje të plotë kundër këtyre sulmeve: përdoruesit duhet të mbajnë pajisjet të përditësuara, të aktivizojnë Lockdown Mode dhe të përdorin mjetet e sigurisë së palëve të treta. “Çdo përdorues i iPhone duhet të shqetësohet për këtë tani”, thotë Cole.



