Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përsëriti sot thirrjen që Ukraina të anëtarësohet në NATO, duke argumentuar se kjo do të ishte një zgjidhje më e mirë për sigurinë e Evropës, sesa garancitë e sigurisë të ngjashme me nenin 5 të Traktatit të Aleancës.
Në një videomesazh drejtuar Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillon punimet në Berlin, Zelensky pyeti nëse anëtarësimi i drejtpërdrejtë i Ukrainës në Aleancë nuk do të ishte më efektiv, më pak i kushtueshëm dhe më i besueshëm për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët.
Negociatorët amerikanë kanë propozuar garanci sigurie të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi anëtar, konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.
Këto garanci synojnë të mbrojnë Ukrainën nga sulme të tjera ruse pas përfundimit të luftës.
Zelensky nuk e hodhi poshtë drejtpërdrejt propozimin, por ngriti pikëpyetje për mënyrën se si do të zbatoheshin këto garanci, cilat vende do ta mbronin Ukrainën në rast të një sulmi të ri, çfarë masash do të ndërmerrnin partnerët dhe sa trupa do të vendoseshin paraprakisht në territorin ukrainas.
Ai theksoi se Evropa do të ishte më e sigurt nëse Ukraina do të ishte pjesë e NATO-s.
Rusia kundërshton fuqimisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO, si dhe garancitë e sigurisë që parashikojnë vendosjen e trupave perëndimore në territorin ukrainas.
NATO ka rënë dakord në parim që Ukraina të bëhet anëtare e Aleancës, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kundërshtuar këtë mundësi vitet e fundit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul deklaroi se rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO është e pakthyeshme, duke përdorur një gjuhë të kujdesshme diplomatike gjatë diskutimeve të së hënës.
Zelensky ka bërë të ditur së fundmi, se SHBA-ja ka paraqitur një propozim sipas të cilit Ukraina mund të anëtarësohet në NATO, nëse heq dorë nga Donbasi lindor që ende kontrollon.
Kievi ka refuzuar deri tani çdo tërheqje nga territoret që nuk janë pushtuar nga Rusia.



