Zv.kryeministri i Qeverisë dhe ministri për Çështje Evropiane (MÇE), Bekim Sali, në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend, theksoi se raporti përbën bazë për një debat të hapur dhe të përgjegjshëm, duke nënvizuar se integrimi evropian kërkon vazhdimësi institucionale, mbikëqyrje parlamentare dhe përfshirje të gjerë shoqërore, njoftojnë nga MÇE.
Ai theksoi në dukje se Komisioni Evropian njeh angazhimin aktiv të vendit në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, raporti evidenton nevojën për rezultate të mëtejshme në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, administratën publike dhe zbatimin e legjislacionit.
Duke iu referuar analizave të ndryshme të raportit, ministri theksoi se institucionet dhe organizatat mund të përdorin metodologji të ndryshme, por debati nuk duhet të reduktohet në statistika të izoluara ose vlerësime konkurruese. Sipas tij, vëmendja duhet të jetë te gjetjet konkrete, rekomandimet dhe përgjegjësia për zbatimin e tyre.
Sali iu referua edhe konstatimit të Komisionit për mungesë përparimi në ndryshimet kushtetuese të përmendura në konkluzionet e Këshillit të vitit 2022, duke theksuar rëndësinë e dialogut serioz, procedurave demokratike dhe respektimit të shqetësimeve legjitime të qytetarëve.
Ministri theksoi se Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes duhet t’i lidhin reformat me përfitime të prekshme, përmes integrimit gradual në tregun e vetëm evropian, shërbimeve publike më efikase dhe mundësive të reja për bizneset. Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë koordinimin me institucionet përgjegjëse, identifikimin e vonesave dhe ndjekjen e rezultateve të matshme.



